Telegrafi

OBRM-PDUKM: Është pafytyrësi që Qeveria i shet tokë për 70 denarë metër katror, kompanisë së gruas së Kovaçevskit

OBRM-PDUKM thotë se është pafytyrësi që Qeveria i ka shitur tokën për 70 denarë metër katror kompanisë në të cilën një pjesë të pronësisë e ka bashkëshortja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Nga OBRM-PDUKM-ja opozitare thonë se kryeministri ka kërkuar që të mos i përmendet familja, por ai atë po e përfshin me këmbëngulje në skandalet dhe bizneset e tij.

“Për 70 denarë qytetarët nuk mundtë blejnë as një kilogram qepë, ndërsa zonja Kovaçevska ka ble truall me nënshkrimin e Artan Grubit. Sipas gjitha gjasave meqë ka nënshkruar Grubi në vend të Kovaçevskit, nuk ka asnjë problem. Me sa duket, Kovaçevski dhe Grubi vendosën të mbrojnë krimet e njëri-tjetrit.

Fillimisht Kovaçevski e mbështeti Grubin për skandalin me tenderin për mbikëqyrjen dhe pronat e njerëzve të afërt me Grubin, ndërsa tani ky i fundit po e falënderon me mundësinë që gruaja e Kovaçevskit t’i marrë 1119 metra katrorë për vetëm 1273 euro. Në kohën kur ka një varfëri të paparë, kur kompanitë vendosin çelësin në derë, për vetëm një mijë e disa euro, bashkëshortes së Kovaçevskit i jepet mundësia për një biznes miliona dollarësh.

Nëse mendojnë se në këtë mënyrë i fshehin krimet e tyre, gabohen shumë. Edhe Grubi edhe Kovaçevski një ditë do të përgjigjen për të gjitha krimet dhe skandalet”, thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM.