Telegrafi

OBRM-PDUKM dhe BDI me qëndrime kundërthënëse për dështimin e formimit të Qeverisë

OBRM-PDUKM-ja sot për TV 21 nuk u përgjigj konkretisht a i kanë rinovuar kontaktet me BDI-në, pas kumtimit të presidentit Ivanov se të gjitha partitë janë ende në lojë për formimin e Qeverisë. Nga OBRM-PDUKM-ja thonë se edhe ata por edhe përfaqësuesit e BDI-së kanë pasur kushte të shumta në negociatat e tyre, duke mos zbardhur konkretisht se cila ka qenë çështja kryesore për dështimin e negociatave. Sa i përket PPS-së, OBRM-PDUKM-ja thotë se kësaj çështjeje i kanë kushtuar më së paku kohë.

Nga ana tjetër, BDI-ja thotë se negociatat me OBRM-PDUKM-në dështuan pikërisht për shkak të kundërshtimit të OBRM-PDUKM-së për t’ia vazhduar mandatin PPS-së.

“Ne angazhohemi që të gjitha partitë ta pranojnë PPS-në, kurse VMRO-DPMNE-ja nuk e bëri këtë. Nuk mund të shpejtonim me vendimin tonë, vetëm se dikujt i ngutej”- tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti për një nga televizionet lokale. Një ditë më herët, të njëjtën gjë për TV21 e pohoi edhe Talat Xhaferi./Telegrafi/