Site icon Telegrafi

OBRM-PDUKM akuzon Zaevin se firmat e familjes së tij po zgjerohen

Nëpërmjet një konference për shtyp, zëdhënësi i partisë maqedonase opozitare OBRM-PDUKM, Naum Stoilkovski tha se “në kohën kur Zoran Zaev është kryeministër, firmat e familjes Zaev po zgjerohen”.

“Firmat e Zaev blenë gjigantin e Strumicës, ‘Geras Cunev’ me çmim të ulët, për 40.000 euro fitojnë projekte për ndërtimin e komplekseve banesore që kushtojnë 10 herë më shumë, familja Zaev fituan licenca për kultivimin e marihuanës. Dhe kjo nuk është e gjitha. Tani po shtyhet ligj ku përfitim më të madh do të ketë narko-biznesi, plantacionet e marihuanës. Propozimi është dërguar në Kuvend dhe së shpejti pritet të diskutohet për këtë. Shembuj të tillë ka shumë. Biznesi në Strumicë nuk është i mundshëm, por edhe në gjithë Maqedoninë, nëse firmat e familjes Zaev nuk kanë interes”, tha Naum Stoikovski, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ai shtoi se kompanitë e familjes Zaev kanë qarkullim prej 56 milionë euro në kohën kur Zaev është kryeministër dhe se Zaev duhet të sqarohet se ka qenë qarkullimi para dhe pasi që është bërë kryeministër.

“Zoran Zaev me tridhjetë kompani familjare është shembull për korrupsion të mundshëm, për ndikim politik, për fuqi në relacionet biznesore. 60 milionë qarkullim janë 60 milionë arsye për korrupsion”, shtoi Stoilkovski.

Sipas tij, Maqedonia është e ndërlidhur vetëm me skandale dhe me keqpërdorim të pushtetit që ndërlidhen me kryeministrin Zaev./Telegrafi/

Exit mobile version