Maja Sllaveva nga radhët e OBRM-PDUKM-së sot në konferencë për shtyp ka akuzuar ministren e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska, se po fsheh një pjesë të pasurisë së saj.
Sllaveva, tha se Carovska bashkëjeton me Goran Georgievin, për të cilin nuk ka paraqitur listë anketuese të pasurisë.
“Në listën anketuese të Carovskës, është shënuar pasuria personale e saj, prindërve të saj, vëllait, ndërsa mungon pasuria e burrit të saj të pamartuar. Sipas Ligjit për familje, nëse jetesa mes burrit dhe gruas që nuk janë të martuar ligjërisht, zgjatë më shumë se një vit është e njëjtë me martesë”, tha Sllaveva.
Ajo tha se Carovska bashkëjeton me Georgievin me të cilin ka një fëmijë, që sipas saj, në pajtim me ligjet ajo konsiderohet martesë dhe duhet të dorëzohet listë anketuese edhe për burrin e saj.
Akuzat nga ana e OBRM-PDUKM-së i ka mohuar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Ata përmes një kumtese për Telegrafi Maqedoni, thonë se pohimet e OBRM-PDUKM-së janë manipulime dhe shpifje.
Gjithashtu në reagim MPPS ka publikuar edhe rregullin ligjor në bazë të së cilit siç thonë, ka vepruar ministrja Milla Carovska.
“Konferenca e OBRM-PDUKM-së paraqet manipulim me opinionin. Ligji nuk i detyron funksionarët të dorëzojnë raport edhe për partnerët e tyre joformal, siç OBRM-PDUKM po mundohet ta mashtrojë opinionin. Ministrja Carovska sipas ligjeve ka dorëzuar listë anketuese për vete dhe familjarët e saj”, thuhet në njoftimin e MPPS-së./Telegrafi/