Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, ka sjellë disa ndryshime që prekin edhe mediat ( TV dhe radio) dhe mbulimin e fushatës zgjedhore nga ana e tyre.
Lidhur me këtë, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti në një prononcim për Telegrafin ka treguar se Ligji për zgjedhjet parasheh disa obligime specifike për KPM-në.
“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme do të ketë efekt mbi punën e KPM-së, mbi mediat e licencuara nga KPM dhe mbi vet subjektet e certifikuara politike të cilat synojnë të bëjnë fushatë zgjedhore”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka shtuar se Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), është duke përgatitur një akt të ri nënligjor, një rregullore të re për sjelljen e mediave gjatë fushatës zgjedhore, e cila do të zbatohet në përputhje me Ligjin e miratuar për zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2023.
Kjo rregullore do të vlejë vetëm për subjektet e licencuara nga KPM, përderisa mbetet në fuqi ligji aktual për KPM-në dhe synon të sigurojë qasje të drejtë dhe të paanshme në emisionet, programet dhe debatet politike, për të gjitha subjektet politike të certifikuara.
Ai theksoi se “qëllimi ynë kryesor është të sigurojmë që mediat transmetuese t’u ofrojnë të gjitha subjekteve politike qasje të barabartë gjatë fushatës zgjedhore.”
Rregullorja do të kërkojë vendosjen e kufijve në sasinë e kohës së emetimit që mund t’i shitet secilit subjekt politik.
“KPM do të kërkoj nga mediat e licencuara vendosje të kufirit në sasinë e kohës së emetimit që ato mund t’ia shesin secilit subjekt politik gjatë fushatës zgjedhore. Ligji po ashtu kërkon që KPM t’i obligojë të licencuarit që t’i shpalosin publikisht listën e çmimeve për reklamim politik, ku çmimi për një sekondë nuk duhet te jete më i lartë se sa që ka qenë në gjashtë muajt e fundit”, u shpreh Mehmeti për Telegrafin.
Mehmeti shtoi se transparenca në çmimet e reklamave është thelbësore për të garantuar besueshmërinë e procesit zgjedhor.
Mediat do të kenë gjithashtu detyrimin të ofrojnë një sasi minimale minutash për emetim pa pagesë për çdo subjekt politik, varësisht nga lloji i licencës që mbajnë.
“Obligim tjetër për mediat të cilat vendosin të emetojnë reklamim politik me pagesë është që gjatë periudhës së fushatës t’i ofrojnë një sasi minimale minutash për emetim pa pagesë secilit subjekt politik të certifikuar, kohë kjo që varion nga 10 deri ne 40 minuta, varësisht nga lloji i licencës që mbajnë”, u shpreh Mehmeti për Telegrafin.
Mediat do të obligohen të mbajnë ditarë të veçantë ditorë për të shënuar kohët për reklamim të shitur apo dhënë falas çdo subjekt politik.
Kështu është e cekur në nenin 49 pika 7 të Ligjit 08L/228 për zgjedhjet e përgjithshme
“Nga transmetuesit kërkohet të mbajnë ditarë të veçantë ditorë, të siguruar nga KPM-ja, për qasjet e siguruara pa pagesë dhe kohët për reklamim që i janë shitur çdo subjekti politik të certifikuar. Këta ditarë përgatiten dhe i dorëzohen KPM-së për çdo javë në përputhje me udhëzimet e dhëna. Pasi të merren, ditarët janë të hapur për t’u shikuar nga publiku”.
Mehmeti bëri të ditur se ditarët do të dorëzohen çdo javë në KPM dhe do të bëhen të hapur për publikun, duke kontribuar në transparencën e procesit zgjedhor.
“Ditari që jemi duke e përgatitur do të jetë i lehtë për tu plotësuar nga ana e mediave, dhe i ndihmon KPM-së të përllogaritë sasinë e reklamimit politik që secili medium i ka dhënë secilit subjekt politik gjatë fushatës zgjedhore” përfundoi Mehmeti.
Në përgatitje për monitorimin e fushatës zgjedhore të vitit 2025, KPM ka miratuar një Plan Veprimi dhe do të organizojë aktivitete konsultuese dhe vetëdijesuese me partnerët e saj, përfshirë OSBE-në, NDI dhe Këshillin e Evropës.
“Ne jemi të angazhuar për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të paanshëm,” përfundoi kryetari i KPM-së.
Ndryshe në Ligjin e ri 08L/228 për zgjedhjet e përgjithshëm në kapitullin e tetë, neni 48 ku flitet për qasjen e drejtë dhe të paanshme nga mediat gjatë fushatës zgjedhore, thuhet “1. Të gjitha mediat sigurojnë se të gjitha subjektet politike të certifikuara përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme në emisionet gjatë fushatës së zgjedhjeve, dhe të gjitha mediat transmetuese u sigurojnë të gjitha subjekteve politike të certifikuara qasje të drejtë dhe të paanshme në programet me diskutime politike dhe debate.
2.Komisioni i Pavarur për Media (KPM) në pajtim me dispozitat e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, miraton udhëzim për rregullimin e blerjes së kohës së emetimit nga subjektet politike në mediat transmetuese.
3.Udhëzimi i KPM-së nga paragrafi 2 i këtij neni, siguron kushte të barabarta dhe mosdiskriminuese për qasje në kohën e tillë, shpalosje publike të listave të çmimeve, si dhe vendosje të kufirit në sasinë e kohës së emetimit që transmetuesi mund t’ia shesë secilit subjekt politik gjatë fushatës zgjedhore”
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë është miratuar në Kuvend më 08.06.2023.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. /Telegrafi/