Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se objektiv kryesor i BQK-së është nxitja dhe mbajtja e sistemit financiar stabil, duke përfshirë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave, duke vepruar mbi parimin e ekonomisë së tregut të hapur me konkurrencë të lirë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se sektori bankar i Kosovës në vitet e fundit ka treguar progres shumë të rëndësishëm edhe në aspektin e përmirësimit të kostos së financimit.
“Në të njëjtën kohë, krijimi i kushteve dhe qasja graduale dhe e sigurt e përafrimit me standardet ndërkombëtare, me fokus të veçantë në direktivat e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit edhe synojmë të bëhemi sa i përket rregullimit të veprimtarisë së institucioneve financiare, është një nga objektivat e BQK-së”, ka thënë ai.
Mehmeti ka bërë me dije se vlera e mjeteve të sektorit bankar në muajin gusht 2017 ka arritur në 3.9 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 9.2 %. /Telegrafi/