Objekti i Presidencës së Kosovës dhe Kuvendit këtë të diel është ndriçuar me flamurin e SHBA-së, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
21 vjet më parë, kamikazët rrëmbyen avionë amerikanë dhe i përplasën në dy rrokaqiejt e qytetit të Nju Jorkut, duke vrarë mijëra njerëz.
Katër avionë që fluturonin mbi pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rrëmbyen njëkohësisht nga një ekip i vogël rrëmbyesish.
Më pas ata u përdorën si raketa gjigante të drejtuara për të goditur ndërtesat ikonike të Nju Jorkut dhe Uashingtonit.
Dy avionë u përplasën me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
Aeroplani i parë goditi Kullën Veriore në orën 08:46 të mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa aeroplani i dytë goditi Kullën Jugore në 09:03 të mëngjesit sipas kokës lokale.
Në më pak se dy orë, të dy kullat 110-katëshe u shembën në një re të madhe tymi.
Në orën 09:37, një aeroplan i tretë shkatërroi krahun perëndimor të Pentagonit – selinë e madhe të ushtrisë amerikane pranë Uashingtonit.
Një aeroplan i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani në orën 10:03 të mëngjesit pasi pasagjerët rezistuan.
Besohet se rrëmbyesit synonin të sulmonin ndërtesën e Kapitolit në Uashington.
Në total humbën jetën 2.977 persona, pa llogaritur 19 rrëmbyesit, shumica në Nju Jork.
Të 246 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në katër avionë vdiqën, në Kullat Binjake, 2.606 njerëz vdiqën në vend ose më vonë nga plagët, dhe 125 njerëz vdiqën në Pentagon.
Kur u godit avioni i parë, llogaritet se në kulla ishin 17.400 njerëz. Askush nuk mbijetoi mbi zonën e goditjes në Kullën e Veriut, por 18 prej tyre arritën të shpëtonin nga katet mbi zonën e goditjes në Kullën Jugore. Mes viktimave kishte shtetas nga 77 vende. Nju Jorku humbi 441 reagues emergjence.
Mijëra njerëz u plagosën ose u zhvilluan më vonë sëmundje të lidhura me sulmet, duke përfshirë zjarrfikësit që punonin në rrënoja.
Sulmet ishin planifikuar nga Afganistani nga rrjeti ekstremist islamik Al Kaida, lideri i së cilës Osama Bin Laden u vra nga trupat amerikane në Pakistanin fqinj, në vitin 2011.