Telegrafi

Objekti misterioz, policia australiane paralajmëron qytetarët të qëndrojnë larg cilindrit të madh të metaltë që u shfaq në plazh  

Një cilindër gjigant metalik është zbuluar në një plazh në Australi, duke habitur vendasit dhe duke paraqitur një mister për policinë.

Cilindri i madh me ngjyrë bakri u raportua në polici nga banorët vendas të dielën, pasi ishte nxjerr nga uji në një plazh pranë Gjirit Jurien, transmeton Telegrafi.

Cilindri duket se është dëmtuar ndjeshëm. Policia australiane e ka konfirmuar se nuk besojnë se objekti ka origjinën nga një aeroplan komercial, duke mos e ditur se çfarë është po e trajtojnë si të rrezikshëm.

“Ne duam të sigurojmë komunitetin se jemi aktivisht të angazhuar në një përpjekje bashkëpunuese me agjenci të ndryshme shtetërore dhe federale, për të përcaktuar origjinën dhe natyrën e objektit”, thanë ata në një deklaratë.

“Hetimi është në vazhdim e sipër dhe derisa të ketë informacione të mëtejshme, i bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga nxjerrja e përfundimeve”, u tha ndër tjera nga policia.

Policia po koordinon një hetim të përbashkët për origjinën e tij, dhe oficerët po ruajnë objektin në përpjekje për të ruajtur ‘integritetin’ e hetimit. /Telegrafi/