Objekti i Komunës së Gostivarit do t’i nënshtrohet rikonstruimit të tërësishëm. Kjo në kuadër të projektit për efikasitet energjetik në sektorin publik, i cili zbatohet nga Njësia për implementimin e projekteve në Ministrinë e Financave me mbështetje financiare nga Banka Botërore. Bëhet fjalë për një projekt kapital, i cili krahas fasadës së jashtme, parasheh edhe izolim, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, si dhe sistemin e ngrohjes, bëri të ditur Dashmir Osmani nga Sektori për zhvillim ekonomik dhe lokal në Komunën e Gostivarit.
Osmani sqaron se nga shuma totale – 20 për qind e mjeteve janë grant dhe pjesa tjetër është linjë kreditore e mundësuar nga Banka botërore. Për çështjen në fjalë u mbajt një debat publik ku u diskutuan detajet, ndërsa realizimi praktik i projektit pritet të fillojë në pranverë.
“Objekti i Komunës do të rinovohet tërësisht. Parashihet izolimi, fasada, ndërrimi i dyerve, dritareve dhe ndërrimi i sistemit të ngrohjes. Kemi paraparë që nga përdorimi i naftës për ngrohje, të përdorim pompat termike, vendosja e një sistemi ngrohës dhe ftohës për tërë objektin e komunës. Besojmë se brenda këtij afati kohor, ne do të arrijmë të kompletojmë dokumentacionin. Kemi debat publik për ambientin jetësor, aspektet sociale, me pjesëmarrësit që do të jenë në këtë debat në lidhje me huamarrjen që marrim. Ky është grant, është një pjesë e grantit 20 për qind dhe 80 për qind është linjë kreditore e mundësuar nga Banka Botërore”, tha Osmani.
Katerina Georgievska, specialiste për mjedisin jetësor në njësinë projektuese, deklaroi se projekti për efikasitet energjetik në sektorin publik realizohet nga Ministria e Financave nëpërmjet njësisë projektuese.
“Vlera e projektit në Komunën e Gostivarit është 350 mijë euro, ndërsa kushtet janë që 80% e mjeteve janë hua të cilën komuna duhet ta kthejë, ndërsa pjesa tjetër prej 20% është grant nga programi në fjalë. Ky projekt ka tre komponentë por për qëllimin që jemi në Gostivar i rëndësishëm është njëri prej tyre dhe ai është komponenti për investim në komuna i cili peshon 10 milion e gjysmë euro, dhe të gjitha komunat e interesuara mund të aplikojnë dhe kërkojnë mjete për implementim të masave për efikasitet energjetik në sektorin publik. Konkretisht, Komuna e Gostivarit ka aplikuar me projekt për rikonstruim të objektit komunal”, tha Georgievska. (koha.mk).