Me një program të pasur kulturo-artistik komuna e Obiliqit ka shënuar sot Festën e 28 Nëntorit, ku u vunë në pah trimëritë e popullit shqiptar.
Me këtë rast, kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi, u shpreh se madhështia dhe emocioni nga fëmijët, artistët, aktorët, këngëtarët dhe valltarët kanë plotësuar agjendën e tij për aktivitetin e 28 Nëntorit.
Ai uroi festën e 28 Nëntorit, duke thënë se do të çojnë në vend amanetin e të rënëve, duke punuar për vlerat kombëtare dhe zhvillimin e vendit.
“Është nder që jam këtu para jush në ditë festive, duke e ditur që nëntori është festë e shumëfishtë, duke filluar nga Skënderbeu, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, dalja publike për herë të parë e flamurit tonë të madh. Unë ndjehem krenar që bashkë me juve të bëjmë përpjekjen maksimale që të punojmë, të kontribuojmë, për vlerën e të gjithë atyre që sakrifikuan për këtë liri. Duke filluar që nga vitet e hershme të ilegales, lëvizjes që i priu dr. Ibrahim Rugova, më pastaj lufta e Ushtrisë Çlirimtare, tani me institucionet e Kosovës”, tha ai.
Gashi u shpreh se do të vazhdojnë edhe më tutje të punojnë sikur deri më tani, duke nderuar ata që dhanë jetën për liri.
E përfaqësuesi i Shoqatave të Dala nga Lufta, Arif Krasniqi, tha se festa e 28 Nëntorit është ndër ditët më domethënëse për popullin shqiptar.
Gërshetimi i shumë ngjarjeve historike në këtë datë, sipas tij, i shtojnë madhësinë kësaj feste.
“Ky muaj dhe këto festa për të gjithë ne vazhdojnë të mbeten ndër festat më të rëndësishme dhe të ndritshme të historisë tonë kombëtare. Liria e arritur është vlera jonë më e madhe dhe si e tillë duhet të mbrohet e forcohet nga të gjithë ne”, u shpreh ai.
Këtë aktivitet të komunës së Obliqit e pasuruan fëmijët e “Smile Kids Academy” të cilët recituan vjersha me përmbajtje patriotike. Ndërsa e hijeshoi Ansambli i Këngëve dhe Valleve, “Xhaviti me dëshmorë”.