Site icon Telegrafi

Obi Mikel zbulon detaje për Hazardin sa ishin në Chelsea: Ai ishte dembel në stërvitje dhe e donte shumë ushqimin

Ish-mesfushori nigerian, Jonh Obi Mikel i dha fund karrierës së tij si lojtar në fund të vitit të kaluar në Kuvajt.

Tifozët e kujtojnë për lojën në Chelsea, ku ai kaloi 11 vite të gjata. Mikel ishte një shkatërrues i njohur, i cili bëri gati 400 paraqitje për Chelsean.

Ai fitoi çdo trofe të mundshëm, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës dhe tani në një intervistë për ‘Dubai Eye’ ka kujtuar një periudhë shumë të suksesshme në Londër.

Vëmendjen më të madhe e shkaktuan deklaratat shumë të hapura të Mikelit për yjet me të cilët ndante dhomën e zhveshjes.

“Hazard është futbollisti më dembel”

Ai përshkroi zakonet e të ngrënit dhe të punës së Eden Hazard, i cili te Chelsea ishte një nga lojtarët më të mirë në botë dhe sot ka statusin e dështimit të madh të Real Madridit.

“Të gjithë duan të jenë në 11-shen startuese kur fundjava vjen dhe nuk ka mundësi që dikush të thotë ‘jo, nuk dua të stërvitem sot’. I vetmi lojtar që kam parë ta bëjë këtë dhe të ikë nga kjo ishte Eden Hazard”.

“Ai kurrë nuk u stërvit. Ai ishte më i keqi në stërvitje. Futbollisti më dembel që kam parë ndonjëherë. Por më pas kur vinte fundjava dhe ai dilte në fushë ishte lojtari i ndeshjes. Pastaj na thoshte: “Ja, o njerëz, shihni””, kujton Mikel.

“Atij i pëlqen ushqimi”

Hazard fitoi dy tituj të Ligës Premier, dy Liga të Evropës, FA Cup dhe Kupën e Ligës në shtatë vjet në Stamford Bridge përpara se të transferohej në Real Madrid në vitin 2019.

Belgu, atëherë një nga sulmuesit më të rrezikshëm në botë, nuk dukej kurrë njësoj në Madrid.

Sipas Mikel, ish-shoku i tij i skuadrës kurrë nuk i kushtoi shumë vëmendje dietës së tij ose nuk e drejtoi jetën e një atleti profesionist jashtë fushës.

“Në fakt, mendoj se kur e shikoni tani, ai ka humbur shumë peshë. Por kur ishte në Chelsea, një natë para ndeshjes ai hante puding, orizi për rreth 20 minuta pas darkës. Ai e do ushqimin. Pastaj shkon në shtrati, zgjohet të shtunën në mëngjes dhe ja ku është duke luajtur shkëlqyeshëm. E linin të bënte çfarë të donte”, tregon nigeriani. /Telegrafi/

Exit mobile version