Telegrafi

Obama: Nëse nuk veprohet, kriza financiare do të thellohet

Zoti Obama tha se vetëm qeveria nuk mund ta zgjidhë dot problemin por në kushtet e dobësimit të industrisë private, qeveria është e vetmja industri që ka mbetur me burimet e nevojshme financiare për ta rigjallëruar ekonominë.

Presidenti Obama tha se plani nuk është i përsosur por nëse nuk veprohet, kjo vetëm se do të thellojë krizën financiare dhe dhimbjen e miliona amerikanëve.

Ai tha se qytetarët e Shteteve të Bashkuara dhe të të gjitha vendeve të tjera i kanë drejtuar sytë te Kongresi për të luajtur rolin udhëheqës.

Presidenti Obama tha se ekonomia amerikane është në rrezikun e hyrjes në një spiral negativ që do ta bënte të pamundur rimëkëmbjen.

Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara janë në krizën më të thellë ekonomike që nga depresioni i madh dhe jo në një recesion të zakonshëm.

Presidenti Barak Obama i bëri thirrje Kongresit të mos e vonojë miratimin e paketës së madhe qeveritare për shpenzimet dhe shkurtimin e taksave, për të cilën tha se do të stimulojë ekonominë dhe do të ndihmojë familjet amerikane.

Zoti Obama pati të hënën një takim në formë debati në Elkhart të shtetit Indiana, ku niveli i papunësisë ka arritur në 15%, rreth dy herë më shumë se sa mesatarja e vendit. Ky qytet është qendër prodhimi autobusësh dhe ka patur humbje të mëdha vendesh pune.

Të hënën, Senati amerikan votoi me 61 vota pro dhe 36 kundër për t’i dhënë fund debatit lidhur me versionin e planit ekonomik të paraqitur në Senat. Tre republikanë votuan pro, njëlloj si kolegët e tyre demokratë. Senati do ta hedhë në votë planin ekonomik nesër.

Nëse miratohet, Senati duhet të bëjë rakordimin e variantit të tij me atë tashmë të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve para se versioni përfundimtar t’i paraqitet presidentit për ta nënshkruar./woa/