Telegrafi

Obama i befasuar, Judd Gregg e tërhoqi kandidaturën për ministër të Tregtisë

Gregg si argument për vendimin e tij i ka theksuar ndryshimet që ka mbi politikën ekonomike si dhe planifikimin për numërimin e popullatës në vitin 2010.

Vendimi i senatorit Judd Gregg që të tërhiqet nga nominimi i funskionit ministër për tregti është i papritur edhe për presidentin Barack Obama, i cili këtë e pranoi vetë në bisedën me gazetarët në shtetin Illinois, transmetuan agjencitë botërore.

Sipas Greggut, të punonte në administratën Obama ishte të bënte shumë lëshime, duke patur parasysh konfliktin e papajtueshëm mbi paketën ekonomike të shpëtimit prej 789 miliardë dollarësh.

Ai tha se kishte bërë gabim që kishte pranuar postin dhe se nuk ishte fokusuar sa duhet në pasojat e të qenit anëtar i kabinetit.

Vetë presidenti Obama e përshkroi veten optimist kur vjen puna te bashkëpunimi midis republikanëve dhe demokratëve.

"Një gjë që dua të siguroj është që njerëzit të mos marrin nga ky nocion faktin se ne nuk mund të bëjmë që republikanët dhe demokratët të punojnë së bashku. Unë do të vazhdoj të punoj në këtë drejtim. Dhe do të vijë momenti kur ne t’i kapërcejmë këto pengesa pasi populli amerikan ka nevojë për këtë.", tha Obama.

Gjashtëdhjetë e një vjeçari Judd Gregg është ish-guvernatori i New Hampshire dhe ish-kongresmen. Ai është senator që në vitin 1993. Momentalisht është përfaqësuesi kryesor i republikanëve në komsionin e Buxhetit, ku njihet për luftën kundër shpenzimeve të konsiderueshme shtetërore.

Obama e nominoi Greggun për funksionin pas refuzimit të guvernatorit Bill Richardson në fillim të janarit.