E shqetësuar lidhur me gjendjen e të bërit biznes në vend dhe vështirësive që po hasin sektori privat gjatë operimit si pasojë e pandemisë, e shqetësuar për reagimin shumë të ngathët të Qeverisë dhe Kuvendit ndaj punëtorëve dhe bizneseve private, Oda e Afarizmit të Kosovës ka përcjellë edhe njëherë të detajuara kërkesat e operatorëve ekonomikë tek deputetët e Republikës së Kosovës nëpërmjet postës zyrtare në Kuvend.
Me qëllim të reflektimit dhe reagimit në kohë sa më të shkurtër kohore, Oda e Afarizmit të Kosovës i bënë edhe këtë herë lutje deputetëve në emër të gati 300.000 të punësuarve në sektorin privat dhe qindra bizneseve që të trajtohen kërkesat dhe të miratohet sa më parë pako e re në mënyrë që të ofrohet përkrahje për punëtorët dhe bizneset për tejkalim të kësaj situate.
“Që nga muaji mars kur zyrtarisht janë paraqitur rastet e para me COVID-19, tani e 5 muaj ende nuk kemi të finalizuar pakon emergjente, kurse ajo e rimëkëmbjes ende nuk ka kaluar duke vendosur kështu në gjendje të vështirë sektorin privat nga mospërkrahja nga ana e shtetit. Duke marrë parasysh që sektori privat është gjeneratori kryesor i të hyrave edhe vendeve të punës në vendin tonë, ai aktualisht ndodhet në një pozitë shumë të rënduar edhe si pasojë e pandemisë”, thuhet në komunikatën e OAK-ut.
Për rikujtim -vijon komunikata- asnjë përkrahje për bizneset për mbulimin e humbjeve, shpenzimeve operative apo me kredi të buta nuk kanë përfituar deri më tani, siç e kanë bërë të gjitha shtetet në rajon dhe Evropë dhe nuk është ofruar përkrahje në mbulimin e humbjeve të shkaktuara si rezultat i ndërprerjes së veprimtarisë së bizneseve dhe rënieve drastike nga pandemia.
“Qindra bizneseve iu është ndaluar veprimtaria dhe shumica nuk janë duke afruar me pozitivitet në Kosovë. As punëtorët e këtyre sektorëve nuk janë duke marrë përkrahje të rregullt nga shteti. Tani ka filluar ekzekutimi i pagës minimale për muajin prill ndërkohë që jemi në mesin e muajit gusht dhe nuk është paraparë përkrahje për muajit e tjerë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e OAK.
Disa nga kërkesat e OAK-ut janë: TVSH-ja për ushqim, turizëm dhe hoteleri të ulet në 5%, ulja e normës së interesit në 1.7% nga Banka Qendrore e Kosovës, subvencionomi i pagave dhe qirave për bizneset e afektuara, për ruajtjen e likuiditetit të kompanive është e rëndësishme që të alokohen 300 milionë euro në Fondin e Garancisë Kreditore, vazhdimi i shtyrjes së kësteve të kredisë dhe tatimeve edhe për 3 muaj të tjerë, të subvencionohet eksporti për 10%, të shumës së eksportuar, të lirohen nga të gjitha tatimet dhe taksat për prodhuesit, përjashtuar TVSH-në, nga data 1 qershor deri më 31 dhjetor.
Gjithashtu OAK ka kërkuar që të ndryshohet Ligji për tatime të brendshme ku të gjitha bizneset prodhuese të lirohen nga TVSH në blerje të lëndës së parë ashtu siç janë të liruara në rast se importojnë nga vendet e huaja.
Oda e Afarizmit të Kosovës iu bënë thirrje edhe këtë herë deputetëve të Republikës së Kosovës që të analizojnë këto kërkesa dhe të propozojnë ndryshimet në mënyrë që sektori privat të shpëtojë nga falimentimi, të ruhen vendet e punës dhe të sigurohet mbijetesa e operatorëve ekonomik që nënkupton mbijetesa edhe e shtetit.
OAK gjatë seancave të mëhershme me shpresë se do të shqyrtohet pako për biznese ka marrë iniciativë duke dalë para hyrjeve të kuvendit dhe dorëzuar kërkesat deputetëve./Telegrafi/.