Site icon Telegrafi

OAK kundërshton vazhdimin e vendimit të BQK-së për tarifën e dorëzimit të parave të imëta

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), përmes një komunikate për media, kundërshtoi ashpër vazhdimin e vënies së tarifës nga ana e BQK-së për dorëzimin e monedhave metalike, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të kësaj të fundit.

OAK rikërkon gjithashtu nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe bordi i BQK-së ndryshime thelbësore në ekzekutiv në mënyrë që Banka Qendrore të ketë një politikë shumë më përkrahëse për biznesin se ajo që ka qenë deri më tani.

OAK në kontinuitet ka shprehur shqetësim për mospunën e BQK-së dhe mosreagimin e saj në përputhje me nevojat e biznesit e sidomos gjatë kësaj kohe të pandemisë.

“OAK tash e disa vite vazhdimisht ka kërkuar që një tarifë e tillë duhet të largohet, sepse po dëmton rëndë bizneset të cilat operojnë me monedha metalike. Rrjedhimisht, po tatimohet valuta metalike dhe biznesit ju janë marrë 5% e monedhave metalike të dorëzuara nga qarkullimi i tyre. Bizneset në shumë raste nuk dalin në fitim nga 5% e qarkullimit, andaj si e tillë kjo tarifë është shumë e lartë. Si shembull për dorëzimin e 10.000 eurove para metalike në bankat komerciale, biznesit i merren 500 euro për këtë”, thotë OAK.

OAK thotë se bizneset që preken më së shumti nga ky vendim janë furrat e bukës, marketet, dyqanet e vogla etj, që më së shumti kanë punë me monedha metalike, e të cilat operojnë me marzha shumë të ulëta të fitimit, duke iu shkaktuar kështu një barrë të madhe për këto biznese aplikimi i kësaj tarife.

“Kërkojmë që kjo tarifë të rishikohet edhe të jetë 0.0 %, sepse po përkeqëson klimën e të bërit biznes, operimin e biznesit që funksionon me këto monedha, tarifë kjo e cila po del të jetë shumë kushtuese”, vijoi OAK.

Kujtojmë se, Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për zvogëlimin e tarifës për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro, sipas të cilit nga data 01.03.2022 ulet nga 5,00% në 3,75%. /Telegrafi/

Exit mobile version