Site icon Telegrafi

“O tryezë!” ose latinishtja e Churchillit

Nga: Aurel Plasari

Latinishtja paska qenë për [Winston] Churchillin, kur mësonte në shkollën emërmadhe Harrow, njëra nga lëndët më të bezdisshme. Sa është ankuar për të! Kështu lexohet në kujtimet e tij, “My early life”. E kuptueshme për një çunak anglez që, fjala vjen, e ka të vështirë të përkapë jo thjesht lakimin e emrave, ngaqë anglishtja nuk ka lakim, por logjikën e veçantë latine në përgjithësi.

Mësuesi i ka dhënë Winstonit të lakojë emrin “mensa” (tryezë): mensa, mensa, mensam … Çunakut nuk i mbushet mendja se si e njëjta formë, “mensa”, përdoret në tri rasa të ndryshme: në emërore, thirrore dhe rrjedhore. Sidomos thirroren nuk ia rrok truri. Çfarë kuptojmë, ka pyetur ai mësuesin, me “mensa” në thirrore? Ka kuptimin, i ka shpjeguar mësuesi, “o tryezë”. Dhe, kur përdoret “o tryezë?”, ka ngulmuar Winstoni. Kur i drejtohemi një tryeze duke e thirrur, i ka shpjeguar mësuesi. Por, unë nuk kam pse t’i drejtohem ndonjëherë ndonjë tryeze për ta thirrur! – ka vijuar kokëfortë çunaku, derisa mësuesi e ka kërcënuar se do të ndëshkohet shumë rëndë për këtë kokëfortësi në mësim.

Sado keq ka folur në kujtimet e rinisë për latinishten, latinishtja e ka marrë shpagën mbi të. Të gjitha fjalimet e tij, të famshme për nga receptimi, dallohen që janë produkt i retorikës latine prej mjeteve të saj që i quajmë të stabilizuara nga kryeustai i retorikës, Ciceroni. Pa bërë zgjedhje tendencioze, marrim njërin nga fjalimet tij më të bujshme radiofonike, atë të qershorit 1940. Shkëlqen në të, pos të tjerash, mjeti që edhe sot e quajmë “asindetë” dhe që ka të bëjë me shmangien e përdorimit të lidhëzave mes fjalive:

“We shall go on to the end, we shall fight in France, we shall fight on the seas and oceans, we shall fight with growing confidence and growing strength in the air, we shall defend our Island, whatever the cost may be, we shall fight on the beaches, we shall fight on the landing grounds, we shall fight in the fields and in the streets, we shall fight in the hills, we shall never surrender…”. [Do të vazhdojmë deri në fund; do të luftojmë në Francë; do të luftojmë në dete dhe në oqeane, do të luftojmë me besimin në rritje dhe me rritjen e forcës në ajër; do ta mbrojmë ishullin tonë, pavarësisht çmimit; do të luftojmë në plazhe, do të luftojmë në zonat e zbarkimit, do të luftojmë në fusha dhe në rrugë, do të luftojmë në kodra, nuk do të dorëzohemi kurrë …”]

Shmangia e lidhëzave mes fjalive, asindeta, shkakton në retorikë një efekt ngjeshjeje dhe rrjedhjeje të shpejtë të fjalive. “Veni, vidi, vici” e Jul Cezarit është kryeshembulli i saj. Dikur, ndërsa na shpjegonin asindetën, nuk kishin të na jepnin veçse shembuj nga letërsia ruse, si ai i Pushkinit:

“Suedezi, rusi – ther, grin, pret. Gjëmim daulleje, britma, kërcëllima, hingëllima, ulërima”.

Ndaç ta ketë dashur, ndaç të mos e ketë dashur z. Churchill latinishten, si asindeta edhe e shumta e mjeteve të retorikës së tij të suksesshme aty e kanë zënien fill, te Ciceroni dhe ciceronianët të cilëve ua ka përgojuar gjuhën.

 

Exit mobile version