Telegrafi

NYT: Emaili që lidh djalin e Trump me Kremlinin

Donald Trump Junior, e dinte se informacioni i ofruar nga avokatja ruse ishte pjesë e një përpjekjeje të qeverisë ruse për të ndihmuar fushatën zgjedhore të babait të tij, raporton New York Times.

Publicist Rob Goldstone, i cili organizoi takimin e vitit 2016, raportohet të ketë deklaruar një gjë të tillë  përmes një e-maili.

Trump Jr ka mbrojtur takimin, në të cilin avokatja ofroi të zbulojë materiale të dëmshme për Hillary Clinton.

Moska dhe Shtëpia e Bardhë  mohojnë se ka pasur ndonjë ndërhyrje politike.

FBI dhe Kongresi po hetojnë aktualisht ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA, duke përfshirë edhe atë nëse ndonjë nga bashkëpunëtorët e Presidentit Trump u bashkua me qeverinë ruse për të ndikuar rezultatin.

Donald Trump Jr ka insistuar se avokatja, Natalia Veselnitskaya, nuk ka siguruar “asnjë informatë të rëndësishme” mbi rivalen e babait të tij.

Dhëndri i presidentit, Jared Kushner, dhe kreu i fushatës, Paul J Manafort, ishin gjithashtu pjesë e takimit.

Natalia Veselnitskaya e cila është e martuar me një zyrtar të qeverisë së Moskës, ka mohuar se punon për Kremlinin.

Adam Schiff, demokrat i lartë në Komisionin e Inteligjencës i tha MSNBC  se raportin e New York Times e sheh si “një zhvillim shumë serioz”.

“E gjithë kjo kërkon hetim të plotë. Çdokush që ishte në atë takim duhet të dilte përpara komitetit tonë”, shtoi ai.