Donald Trump Junior, e dinte se informacioni i ofruar nga avokatja ruse ishte pjesë e një përpjekjeje të qeverisë ruse për të ndihmuar fushatën zgjedhore të babait të tij, raporton New York Times.
Publicist Rob Goldstone, i cili organizoi takimin e vitit 2016, raportohet të ketë deklaruar një gjë të tillë përmes një e-maili.
Trump Jr ka mbrojtur takimin, në të cilin avokatja ofroi të zbulojë materiale të dëmshme për Hillary Clinton.
Moska dhe Shtëpia e Bardhë mohojnë se ka pasur ndonjë ndërhyrje politike.
FBI dhe Kongresi po hetojnë aktualisht ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA, duke përfshirë edhe atë nëse ndonjë nga bashkëpunëtorët e Presidentit Trump u bashkua me qeverinë ruse për të ndikuar rezultatin.
Donald Trump Jr ka insistuar se avokatja, Natalia Veselnitskaya, nuk ka siguruar “asnjë informatë të rëndësishme” mbi rivalen e babait të tij.
Dhëndri i presidentit, Jared Kushner, dhe kreu i fushatës, Paul J Manafort, ishin gjithashtu pjesë e takimit.
Natalia Veselnitskaya e cila është e martuar me një zyrtar të qeverisë së Moskës, ka mohuar se punon për Kremlinin.
Adam Schiff, demokrat i lartë në Komisionin e Inteligjencës i tha MSNBC se raportin e New York Times e sheh si “një zhvillim shumë serioz”.
“E gjithë kjo kërkon hetim të plotë. Çdokush që ishte në atë takim duhet të dilte përpara komitetit tonë”, shtoi ai.