Telegrafi

NYT: Armët kroate në duart e opozitës siriane

Sipas artikullit, armët rrodhën te kryengritësit në muajin dhjetor përmes Jordanisë.

Zyrtarë theksojnë se ato kanë luajtur rol në “fitoret e vogla taktike” të kryengritësve kundër ushtrisë dhe paramilitarëve besnikë të Assadit, transmeton “Evropa e Lirë”.

Dërgimi i armëve, shkruan NYT, u pa si një sinjal ndryshimi në mesin e disa qeverive që donin një qasje më aktive për të ndihmuar armatosjen e opozitës siriane si kundërpërgjigje ndaj armëve që Assad mori nga forcat e Iranit.

Shpërndarja e armëve është bërë te grupet që shihen si më nacionaliste dhe sekulare, duke anashkaluar kështu grupet xhihadiste, ndikimi i të cilëve në luftë, i ka alarmuar fuqitë perëndimore dhe rajonale.

Me muaj, shkruan gazeta, kryeqytetet rajonale dhe perëndimore kanë hezituar të armatosin kryengritësit nga frika se armët do të binin në duart e terroristëve.

Grupet xhihadiste në mesin e opozitës thuhet se janë më mirë të pajisura sesa luftëtarët nacionalistë dhe potencialisht kanë më shumë ndikim.

Roli i Washingtonit në dërgesa, nëse ka pasur ndonjë, ende nuk është i qartë. Zyrtarët në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë ata në Agjencinë Qendrore të Zbulimit (CIA), duke iu referuar ndjeshmërisë së dërgesave nuk kanë pranuar të komentojnë publikisht.

Por, NYT, citon një zyrtar të lartë amerikan t’i ketë përshkruar dërgesat si një rritje të kanalit logjistik të opozitës.

Zyrtari vuri në dukje se opozita mbetet e fragmentuar dhe se blerja e fundit nga sauditët nuk është “në vetvete një pikë kthese”, duke shtuar se dërgesat iraniane për qeverinë e Asadit tejkalojnë ato të shteteve që i kanë ndihmuar kryengritësve. /Telegrafi/