Telegrafi

‘Nyja’ nën fyt

Thuhet se kravata ka lindur nga një leckë (pjesë e mbetur tekstili), të cilën, të lidhur rreth qafe, gjatë shekullit XVII, e kanë bartur ushtarët kroatë që i kanë shërbyer mbretit francez Luj XVI. Që nga ajo kohë, kravata e ka ndryshuar pamjen dhe destinimin, i përkiste një kaste të caktuar njerëzish, përherë zbulonte shijen, por shërbente edhe kur ndokush dëshironte të shfaqte ndonjë protestë (duke e zgjidhur apo duke mos e bartur fare kravatën).

Kravatën disa burra e konsiderojnë si bazë të elegancës së tyre, dhe si shenjë të dukshme se i përkasin gjinisë mashkullore, derisa disa të tjerë e konsiderojnë si të mërzitshme edhe vetëm sikur të mendonin që atë "dizgë" do të detyroheshin që me kujdes ta lidhnin e ta lëshonin deri te "Molla e Adamit". Megjithatë, ekzistojnë çaste kur kravata vërtet është e domosdoshme.

Çka duhet të kujdesemi me rastin e zgjedhjes dhe bartjes së kravatës?

Zgjedhja: Duhet eliminuar kravatat me ngjyra të theksuara, me dimensione tepër të gjera, apo tepër të ngushta. Kravata ideale është e gjatë 135 cm, pjesa më e gjerë e saj 10 deri në 11 cm, ndërsa pjesa më e ngushtë 4 cm. Preferohen kravatat njëngjyrëshe apo ato me katrorë të vegjël, pika, apo me vija të holla dy apo trengjyrëshe.

Tekstili: Kurrë mos bartni kravata poliesteri, por vetëm kravata mëndafshi, leshi, apo sosh të ndonjë përzierjeje të atyre penjve.

Cilësia: Me rastin e blerjes së kravatës nuk duhet kursyer! Kravata e mirë është e punuar nga pëlhura e turrur posaçërisht, madhësia e së cilës është 90 x 70 cm, nga e cila madhësi mund të punohen vetëm dy kravata. Qepet në mënyrë diagonale, andaj duket e mirë dhe nyja mund të lidhet mirë.

Lidhja: Italianët Vilaros dhe Mosconi kanë shkruar një libër për lidhjen dhe bartjen e kravatës dhe kanë theksuar madje 188 mënyra të ndryshme! Burri mesatar duhet patjetër të dijë dy mënyra të lidhjes së kravatës, në mënyrë që të konsiderohet elegant.

Bontoni: Nuk është e mjaftueshme vetëm të zgjedhësh kravatën, ta lidhësh. Kravata është stoli të cilën duhet të dish ta përdorësh, andaj duhet të dish t’i shmangesh këtyre rasteve:

– Kravatën e njollosur duhet dërguar në pastrim kimik, e assesi ta lidhësh rreth qafe.
– Vazhdimisht kur përkuleni përmbi tavolinë, dhe kravata të mos përfundojë në supë, përmbi bark e mbështetni krahun e majtë të dorës. Këtë pakënaqësi mund ta shmangni edhe nëse keni të vendosur gjilpërën zbukuruese në kravatë.
– Kravata patjetër duhet të jetë e lidhur në atë mënyrë që pjesa e gjerë përherë duhet ta mbulojë pjesën e ngushtë.

Është e pafalshme të bartet kravata e shlirshme përmbi këmishë me pullë të zbërthyer. Më mirë është të mos e bartësh fare kravatën! /Telegrafi/

Profil: Albert Krasniqi