Ushtrimi intensiv nuk do t’ju ndihmojë të ndërtoni muskuj nëse dieta juaj nuk është adekuate.
Përkatësisht, për muskuj më të mëdhenj dhe më të fortë, është e rëndësishme se cilat ushqime i konsumoni çdo ditë. Kështu, disa ushqime mund të ndihmojnë në rritjen e muskujve, ndërsa të tjerat mund ta pengojnë atë.
Nutricionisti Jordan Hill thotë se dieta luan një rol kyç në rritjen e muskujve, sepse lëndët ushqyese që konsumoni sigurojnë blloqet ndërtuese dhe energjinë e nevojshme për zhvillimin dhe riparimin e indeve të muskujve.
Pra, disa lëndë ushqyese (të tilla, si yndyrat e ngopura, trans yndyrat dhe sheqeri i shtuar) mund ta parandalojnë rritjen e muskujve duke shkaktuar inflamacion që mund të ndikojë në rikuperimin dhe rritjen e muskujve, si dhe të ndikojë negativisht në ndjeshmërinë ndaj insulinës, e cila është e rëndësishme për marrjen e lëndëve ushqyese.
Produktet e mishit të përpunuar
Produktet e mishit të përpunuar janë të pasura me yndyra të ngopura dhe mund të kontribuojnë në dëmtimin e muskujve. Në vend që të vendosni një sandviç me proshutë dhe djathë, zgjidhni mish pa dhjamë, si gjoksi i freskët i pulës ose gjelit të detit.
Pica e ngrirë
Pica në përgjithësi nuk konsiderohet një opsion më i shëndetshëm dhe një fetë pica e ngrirë ka rreth nëntë gram yndyrë të ngopur, që është pothuajse gjysma e vlerës ditore. Gjithashtu, shumë pica të ngrira janë të pasura me sheqer të shtuar, një lëndë tjetër ushqyese që duhet ta kufizoni.
Pije të nxehta të ëmbla
Konsumimi i tepërt i sheqerit mund të çojë në një rritje të sheqerit në gjak që çon në një rënie të energjisë. Zëvendësuesi më i mirë është kafeja e zezë, por nëse nuk jeni adhurues i kafesë së zezë, mund të shtoni pak qumësht.
Pasta të ëmbla
Torte, krofne dhe pastat tjera të ëmbla, kanë gjithashtu një efekt negativ në rritjen dhe mirëmbajtjen e masës muskulore. Përveç kësaj, marrja e lartë e sheqerit shoqërohet me rezistencë ndaj insulinës dhe inflamacion, të cilat mund të ndërhyjnë në metabolizmin e proteinave dhe rikuperimin e muskujve.
Patatet e skuqura
Patatet e skuqura përmbajnë një përqindje të lartë të yndyrave të ngopura dhe janë nga ushqimet më të përpunuara. Është ky kombinim që mund të kontribuojë në shtimin e peshës dhe të shkaktojë inflamacion që mund të pengojë rikuperimin e muskujve.
Pula e fërguar
Ashtu si patatet e skuqura, pula e skuqur është e lartë në yndyra të ngopura dhe kalori. Përveç kësaj, pula e pjekur është e ulët në lëndë ushqyese thelbësore në krahasim me burimet tjera të proteinave që mbështesin rritjen e muskujve.
Lëngjet
Lëngjet e gazuara dhe jo të gazuara përmbajnë të ashtuquajturat kalori boshe, sepse nuk përmbajnë lëndë ushqyese për të cilat trupi ka nevojë. Konsumimi i tepërt i sheqerit, veçanërisht nëse është në lëngje, mund të çojë në shtim në peshë dhe rezistencë ndaj insulinës.
Alkooli
Alkooli mund ta prishë sintezën e proteinave, ta dëmtojë përthithjen e lëndëve ushqyese dhe ta ulë testosteronin, një hormon i rëndësishëm për zhvillimin e muskujve. Alkooli mund ta dëmtojë rikuperimin pas stërvitjes, si dhe performancën në palestër. /Telegrafi/