Trupi i pajetë i një burri është nxjerrë nga deti në zonën e plazhit të Durrësit.
Policia vendore bëri të ditur karakteristikat fizike të të mbyturit dhe rrobat që mbante veshur për të lehtësuar identifikimin e tij. I nxjerrë nga deti disa orë më parë në afërsi të pistës te sektori ”Teuta” i plazhit i mbyturi është ende i paidentifikuar.
Askush në zonën e plazhit nuk e ka njohur, ndërsa në rroba nuk iu gjet asnjë mjet identifikues. Sipas policisë, trupi i përket një burri rreth moshës 60 vjeç, 170 cm i gjatë, trup i shëndoshë, me flokë të thinjur dhe pjesërisht të rëna. Në çastin e gjetjes së trupit, ai mbante të veshur një xhaketë ngjyrë kafe, pantallona ngjyrë kafe dhe atlete ngjyrë blu.
Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune në trup dhe dyshohet se ky shtetas është mbytur në det. Trupi i pajetë është transportuar në morgun e spitalit të Durrësit, ndërsa po punohet për identifikimin e tij.
Pritet që dhe familjarë të cilëve u mungon nga dita e djeshme ose më parë një person në familje të paraqiten, bazuar te karakteristikat e dhëna fizike, për të identifikuar të mbyturin. Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarjeje, që mund të jetë aksidentale, ose një rast vetëmbytjeje. Muajin e kaluar një grua 58-vjeçare nga Tirana u gjet e mbytur në zonën e shëtitores bregdetare ”Taulantia” të Durrësit. /TCH/