Një grup pune nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm është ngritur për t’u vënë në dispozicion të Prokurorisë për hetimin e aksidentit me helikopterin e ushtrisë, të ndodhur tre ditë më parë, ku dy pilotët humbën jetën, ndërsa një tjetër u plagos. Grupi i punës do të ndihmojë në hetim prokurorinë me të gjitha provat materiale.
Ndërkohë, ekspertët amerikanë dhe shqiptarë kanë arritur të nxjerrin nga liqeni kutinë e zezë të helikopterit EC145, e cila do të dërgohet në Prokurorinë e Shkodrës.
Menjëherë pas aksidentit, ministrja Kodheli urdhëroi hetim administrativ të ngjarjes.
Ekspertët e kompanisë franceze Eurocopter, mbërritën në Tiranë mesditën e së premtes, shkruan Shekulli. Për shkak të kushteve të vështira të motit gjatë së premtes, ata bënë vetëm këqyrjen e vendit te ngjarjes, verifikimin e pjesëve të nxjerra nga liqeni si dhe u informuan nga ushtarakët shqiptar lidhur me të dhënat që kishin grumbulluar.