Në shumë shkolla të Kosovës, sot më 14 shtator ka nisur fillimi i vitit të ri shkollor.
Për dallim nga vitet tjera, ky vit shkollor ka nisur me masa të rrepta anti-covid.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që procesi mësimor të zhvillohet duke respektuar masat për mbrojte nga sëmundja COVID-19, shkruan Telegrafi.
Bazuar në vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-21 në kushte pandemie, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë COVID-19.
Sot ka nisur faza e parë, ku mësimi ka filluar vetëm për nxënësit e klasave 0, 1, 2, 3, 6, 10. Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore. Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online/në distancë.
Nxënësit dhe mësimdhënësit duhet të mbajnë maska në ambientet shkollore. Sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, shkollat duhet të sigurojnë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra. Secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka thënë se inspektorët sanitarë do të mbikëqyrin nëse shkollat po respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga coronavirusi. /Telegrafi/