Unioni i nxënësve shqiptar alarmon se maturantët nuk do t’i nënshtrohen testimit ekstern. Sipas tyre testimi deri më tani nuk ka treguar asnjë rezultat pozitiv përkundrazi, ka shkaktuar kaos te nxënësit dhe arsimtarët. Përveç bojkotit, nxënësit thonë se së shpejti do të organizojnë edhe protestë masive përmes së cilës do të shprehin pakënaqësinë e tyre, njofton Alsat M.
Ne planifikojmë që së shpejti të mbajmë edhe protesta kundër testimit ekstern sepse është një testim që ka treguar se është i dështuar dhe ai nuk duhet të vazhdojë të implementohet më tej. Ka vite e vite që implementohet dhe nuk ka sjellë dobi dhe nuk presim që nxënësit të hyjnë në atë testim ekstern, kemi pritur deri më tani që të bëjnë përmirësime dhe këto përmirësime nuk janë bërë deri me tani dhe nuk na ngelet gjë tjetër pos që të marrim disa masa më ndëshkuese – deklaroi Majlinda Çilafi, Kryetare e Unioni të Nxënësve Shqiptar.
Por Ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu nuk mirëpret kërkesën e nxënësve për heqjen e testimit ekstern. Lutfiu madje tërhoqi vërejtjen se nxënësit që do ta bojkotojnë testimin do të përballen me probleme gjatë regjistrimit në studime të larta.
Nuk shoh ndonjë arsye që nxënësit ta bojkotojnë testimin, sepse nuk ka elemente që duhet të shqetësohen. Nëse ata nuk hyjnë në një procedurë e cila tani është në ligj- testi ekstern , me siguri do kenë probleme gjatë regjistrimit në fakultet për shkak se ajo është një diplomë që kërkohet nga Universitetet. Gabimet që i kemi pasur më përpara goxha janë mënjanuar, nëse eventualisht del ndonjë gabim teknik nxënësit kanë të drejtën e ankesave – deklaroi Pishtar Lutfiu, ministër i Arsimit.
Qendra për provime shtetërore pritet së shpejti të caktojë datën e mbajtjes së testimit ekstern e cila parashikohet të mbahet në fillim të majit. Në rast të pakënaqësive nxënësit kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë deri te ky organ. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=rplzcjFGfuA