Telegrafi

Nxënësit në Busavatë nuk e filluan vitin e ri shkollor, prindërit të vendosur kundër reformës në Kamenicë

Teksa dje filloi faza e parë e vitit të ri shkollor, kjo nuk ndodhi në fshatrat e Kamenicës, ku kryetari Qendron Kastrati është i vendosur për reformë, e që nënkupton mbylljen e disa shkollave. Madje, prindërit janë të vendosur që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre, deri sa Kastratit t’i skadoj mandati. Kundër reformës, nesër do të protestohet edhe në Karaqevë.

Teksa viti i ri shkollor  filloi, kështu nuk ndodhi në fshatrat ku kryetari i Kamenicës Qendron Kastrati ka filluar reformën. Janë banorët e fshatit Busavatë, ata që për të dytin vit, po e kundërshtojnë reformën, që për këtë fshat nënkupton mbylljen e shkollës që sapo është ndërtuar.

Prindërit, janë të vendosur që fëmijët të mis i çojnë në shkollë, deri sa kryetarit aktual t’i përfundoj mandati.

“Qëllimi ynë kryesorë është që shkolla mos të mbyllet. Ne si fshat, si prindër dhe si komunitet jemi të vendosur shkolla e fshatit Busavatë të mos mbyllet dhe që fëmijët tonë nuk do t’i rrezikojmë në këtë kohë pandemie”, deklaroi për RTV Dukagjinin, prindi Feim Maliqi.

“Ne si prind do të vazhdojmë të kundërshtojmë këtë reformë. Nëse është e nevojshme edhe një vit do t’ua humbim fëmijëve sepse gati se një vit është humbur, por fëmijët nuk do t’i dërgojmë në Kamenicë”, deklaroi prindi tjetër Selman Maliqi.

Por, Kastrati është i vendosur për këtë.

“Ne duam që të ketë një edukim sa më cilësorë. Kjo është e drejt dhe fokusi para se gjithash është te fëmijët dhe ne është dashur të marrim një vendim që nuk ka qenë popullor”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Qendron Kastrati.

Ndryshe, një raport i muajit gusht, veprimet e kryetarit të Kamenicës, i sheh si joligjore, diskriminuese dhe që duhet ta rishqyrtoj këtë reformë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/