Këshilli për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari (KMPGJSH), në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, kanë organizuar një ekskursion pesëditorë të nxënësve nga shkolla shqipe me mësim plotësues nga Bavaria në trojet shqiptare.
Nxënësit e klasave të Munihut, Fürstenfeldbrückut dhe Dingolfingut, me këtë rast vizituan monumente historike e kulturore të atdheut – Shqipërisë Etnike, institucionet shtetërore, Prizrenin historik, Vlorën e Pavarësisë, Prekazin legjendar të Adem Jasharit, Krujën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu e tjera.
Po ashtu vizituan edhe bukuritë e rralla natyrore si shpellën e famshme të Gadimes, Muzeun Etnografik në Prishtinë, Ekspozitën e Kodikëve në Tiranë etj.
Nxënësit e shkollës shqipe në Bavari gjatë qëndrimit në Kosovë patën një takim me zëvendësministrin për Diasporë Afrim Bekteshi, drejtori për Arsim dhe Kulturë pranë kësaj ministrie Avdyl Lipoveci.
Kryetari i KMPGJSH-së, Mustafë Krasniqi, falënderoi Ministrinë e Diasporës që me sukses po e realizon këtë projekt të filluar kaherë.
“Ministria e Diasporës të ndërmarrë hapa të ngutshëm për të ruajtur fëmijët mërgimtarë nga asimilimi, për të mos e harruar gjuhën, identitetin dhe kulturën kombëtare-shqiptare. Për fat të keq, brezi i dytë ka filluar ta belbëzojë gjuhën, sikur dhe me të madhe edhe ta zbehë, ndërsa te brezi i tretë kam drojë se do të asimilohet në tërësi, nëse qeveritë tona në Tiranë dhe Prishtinë nuk vejnë një interes më të theksuar dhe të ngutshëm”, u shpreh ai.
Ndërsa, Ymer Avdiu, i cili ishte i angazhuar të merrej me grupin e nxënësve nga Bavaria, gjatë qëndrimit në Kosovë vizituan edhe shkollën “Hasan Prishtina”, ku u bë një pritje e shkëlqyer e madhështore nga stafi i kësaj shkolle.
Gjatë këtij takimi nxënësit shkëmbyen adresa dhe krijuan rrjete të afrisë në mes vete duke iu ofruar mundësi takimi shoqërimi përmes rrjeteve sociale.
Po ashtu, nxënësit e shkollës shqipe në Bavari, vizituan edhe Kazermën e FSK-së “Adem Jashari” , si dhe patën një takim me drejtorin e Arsimit për Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj.
Ekskursioni la mbresa të mëdha te nxënësit mërgimtarë të shkollës shqipe me mësim plotësues në Bavari.
Ndryshe, ekskursioni ishte nën përkujdesjen dhe i financuar nga Ministria e Diasporës Republikës së Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me KMPGJSH-së në Bavari.