Sot (e diel) 58 të rinj nga shkolla të mesme të Prizrenit u bënë pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit përmes Çmimit të Jurisë së Re. Kjo është hera e tretë që kjo garë organizohet në Kosovë, ndërsa në tërë Evropën është hera e pestë që në mbi 20 qytete të Evropës filmat shikohen dhe votohen në mënyrë të sinkronizuar.
Këtë herë filmat e nominuar GIRLS LOST nga Alexandra-Therese Keining (Suedi), MISS IMPOSSIBLE nga Emilie Deleuze (Francë) dhe RAUF nga Bariş Kaya & Soner Caner (Turqi) u shfaqën për audiencat e moshës 12 – 14 vjeç në një numër rekord në 27 qytete të ndryshme të Evropës, ndër to edhe në Prizren.
Juria, si çdo vit, u ndihmua nga aktorë e filmbërës për t’i vlerësuar filmat që garuan për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Këtë vit aktorët e rinj Kosovar Lum Veseli dhe Andi Bajgora, regjisorja Lendita Zeqiri dhe producenti Bujar Kabashi.
Të tre filmat e shfaqur trajtonin një temë të caktuar shoqërore që janë edhe brenga kryesore e fëmijëve të këtyre moshave. Kjo u reflektua edhe në bisedën që nxënësit zhvilluan me mysafirët e ftuar duke i kontekstualizuar tematikat e filmit në rrethin dhe shkollat e tyre.
Pas votimit të audiencës së re të Prizrenit, filmi GIRLS LOST morri numrin më të madh të votave. Pas votimit nga të gjitha qytetet pjesëmarrëse çmimi kryesor i shkoi filmit MISS IMPOSSIBLE i regjisores Emilie Deleuze Franca.
DokuFest është njëri ndër partnerët e EFA Young Awards për tre vite me radhë. Pjesë e bashkëpunimit tonë me Akademinë e Filmit Evropian përfshinë edhe prezantimin e programit të filmave SHORT MATTERS! gjatë festivalit Dokufest si dhe votimin për filmat për Çmimet Evropiane të Filmit.