Mbi 50 nxënës të shkollës fillore “Haxhi Zeka” në Zahaq të Pejës, janë sëmurë gjatë ekskursionit njëditorë që ishte organizuar nga Drejtoria e shkollës. Këtë e thonë prindërit të cilët kërkojnë llogari nga Këshilli Drejtues i shkollës. Por alivanosja e disa fëmijëve është konfirmuar edhe nga drejtori i shkollës. Ky i fundit ka kërkuar llogari nga mësimdhënësit.
Dy dite më parë, nxënësit e klasave të 2-ta të shkollës fillore “Haxhi Zeka” në Zahaq të Pejës udhëtuan në një ekskursion njëditor.
Por kjo shëtitje nuk shkoi siç u planifikua. Disa prej nxënësve u sëmurën në ekskursionin që u organizua nga drejtoria e shkollës në bashkëpunim me Këshillin e Prindërve.
Prindi Xhevdet Kelmendi, ka thënë se fëmija i tij për shkak të moskujdesit dhe nga temperaturat e larta është alivanosur në autobus.
“Mësuesit nuk kanë pranuar të bisedojnë me ne prindërit. Nxënësit na kanë treguar gjithçka. Në pjesën e lartë të autobusit kanë qenë 35-40 fëmijë. Ka qenë shumë i ngarkuar autobusi. Kanë kërkuar ndihmë. Ndihma nuk u është ofruar”, shprehet për RTV Dukagjinin Xhevdet Kelmendi.
Te njëjtin mendim e ka edhe Liridon Kastrati. Ky i fundit, tha se gjatë shëtitjes njëditore fëmijëve nuk u është siguruar udhëtimi siç duhet. Sipas tij, janë alivanosur mbi 50 nxënës.
“Flasë në bazë të dëshmive të djalit tim dhe fëmijëve tjerë. Kanë kërkuar që në katin e dytë të ketë klimë. Kanë treguar që nuk janë mirë me shëndet dhe kanë kërkuar ujë, por as ujë nuk u është dhënë. Kur kanë zbritur poshtë u kanë thënë ngjituni lartë se mirë jeni”, thotë prindi Liridon Kastrati, përcjell Telegrafi.
Se nuk ka shkuar udhëtimi siç ishte planifikuar e pranon edhe drejtori i shkollës “Haxhi Zeka” në Zahaq, Sami Zekaj. Ai thotë se ka kërkuar llogari nga mësimdhënësit të cilët kanë qenë në këtë udhëtim.
“Për shkak se një numër i arsimtarëve kanë qenë si zëvendësues, ndoshta nuk e kanë kuptuar përgjegjësinë ndaj nxënësve që është dashur të kenë ata”, thotë Sami Zekaj.
Përndryshe, prindërit kanë thënë se me këtë organizim, Këshilli Drejtues i shkollës ka shkelur Udhëzimin Administrativ. Sipas të njëjtit udhëzim, prindërit thonë se ndaj nxënësve të këtij niveli shkollor, duhet të ketë kujdes më të shtuar. /Telegrafi/