Dhjetë nga nxënësit që janë transportuar në autobusin që mëngjesin e sotëm u përplas me furgonin në rrugën Demir Hisar – Kërçovë janë lënduar lehtë, ndërsa më rëndë është lënduar njëri nga shoferët e autobusit.
Nga spitali klinik në Manastir, ku janë dërguar të lënduarit, informojnë se nxënësit e lënduar pas dhënies së ndihmës mjekësore janë lëshuar në shtëpi, ndërsa shoferi që është lënduar më rëndë, është mbajtur në mjekim, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Fëmijët janë dërguar pa ndonjë lëndim më të rëndë. Njëri nga shoferët është kontrolluar dhe pa ndonjë lëndim të rëndë është lëshuar në shtëpi, ndërsa tjetri është mbajtur në mjekim klinik në Ortopedi. Ka frakturë në legen dhe në gjymtyrë”, thotë Zoran Llazarev, drejtor i Spitalit klinik në Manastir.
Aksidenti rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 7:30 në rrugën Demir Hisar – Kërçovë. Në autobus kanë qenë rreth 30 nxënës nga shkolla fillore “Goce Dellçev” nga Demir Hisari./Telegrafi/