Site icon Telegrafi

Nxënësit me doracak për Holokaustin

Nxënësit e klasave të nënta dhe të dymbëdhjeta të shkollave të Kosovës do të mësojnë për historinë e Holokaustit – gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kjo histori do të mësohet përmes doracakut për mësimin e Holokaustit të promovuar sot nga Shoqata e Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës dhe Forum ZFD.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci gjatë promovimit tha se Holokausti si ngjarje makabre duhet të mësohet dhe të rikujtohet nga gjeneratat e reja.

“Është e rëndësishme që nxënësit tonë të mësojnë që antisemitizmi nuk është sjellja e duhur. Përveç kësaj, ata do të mësojnë edhe për raportet e mira të shqiptarëve me hebrenjtë”, ka thënë Nagavci, raporton Kallxo.com.

Ajo tha se ky material do t’u shërbej mësimdhënësve si material alternativ për nxënësit.

Jan Axel-Voss nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha se botimi i këtij doracaku dhe edukimi përmes tij, do të nënvizoj të drejtat e njeriut.

“Historia e Holokaustit duhet të mësohet në të gjithë botën për të parë diskriminimin, persekutimin dhe antisemitizmin që është ushtruar ndaj hebrenjve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtoresha për antisemitizmin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, Ruth Cohen Dar ka thënë që është shumë e rëndësishme që të mësohet historia e Holokaustit përmes fakteve.

“Ne shohim potencial të madh për bashkëpunim mes Kosovës dhe Izraelit në shumë fusha jetësore”, tha ajo në një lidhje direkte.

Lea Micha nga Museu i Holokaustit ‘Vad Yashem’ në Izrael tha që është kënaqësi e madhe që historia e Holokaustit të mësohet nga brezat e rinj në Kosovë.

Është domosdoshmërisht e rëndësishme që brezat e rinj nëpër botë të mësojnë për një histori aq të rëndësishme”, tha Micha në lidhje direkte.

Ndërsa, kryesuesja e Shoqatës së Mësimdhënësve të Kosovës, Donika Xhemajli tha që nuk është e lehtë të ekzistojnë duke marrë parasysh situatën e shoqatave në Kosovë.

“Për neve si Shoqatë kjo është bebja jonë e parë. Qëllimi i doracakut është promovimi i qasjes multiperspektive, të nxisë empatinë dhe t’iu ofroj mësimdhënësve mundësi alternative përgjatë mësimdhënies”, tha Xhemajli.

Vincent Lungwitz, drejtor i ZDF Forum në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se ndryshimet e shpeshta në Qeverinë e Kosovës po e shkatërrojnë arsimin dhe po e ndalojnë reformën.

“Librat në Kosovë nuk kanë ndryshuar me vite. Ministri i Arsimit ndërron shumë shpesh e me këtë ndërron edhe sistemi. Arsimi në Kosovë është duke ndryshuar shumë për shkak të ndryshimeve të shpeshta”, u shpreh Lungwitz.

Ndërkaq për doracakun ai tha se kosovarët duhet të mësojnë për historinë e Holokaustit dhe duhet të shkruajnë vetë historinë e luftës së tyre.

“Ishin njerëzit nga këtu që kërkuan që të mësojnë për Holokaustin. Nuk ishim ne ata që erdhëm për të kërkuar që ata të mësojnë për Holokaustin”, tha ai.

Bashkautori i doracakut nga Shoqata e Mësimdhënësve të Kosovës, Arbër Salihu tha se ky libër është publikuar për të dokumentuar dhe edukuar brezat e rinj.

“Ideja për futjen e historisë së Holokaustit, ka qenë para shumë vitesh. Kemi shumë mungesë të kësaj historie në librat tanë”, tha Salihu.

Holokausti ishte gjenocidi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania Naziste dhe bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milionë hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga Gjermania, rreth dy të tretat e popullsisë hebraike të Evropës.

Exit mobile version