Telegrafi

NVM-të të rëndësishme për zhvillimin ekonomik

Konferencat e mbajtura të hënën janë organizuar në bashkëpunim mes Agjencisë për mbështetjen e NVM-ve, projektit të Komisionit Evropian për përkrahjen e NVM-ve përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), dhe në bashkëpunim me tre Agjencitë Rajonale për Zhvillim qendër, jug dhe perëndim.

Strategjia synon të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe kulturës së ndërmarrësisë duke synuar krijimin dhe rritjen e shpejtë të NVM-ve të qëndrueshme.

Hartimi i Strategjisë për zhvillimin e NVM-ve do të shtrihet në një periudhë pesëvjeçare dhe pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2012. Institucion përgjegjës për hartimin e strategjisë është Agjencia për mbështetjen e NVM-ve e cila funksionon në kuadër MTI-së.

Në këtë proces MTI-ja po përkrahet teknikisht nga projekti i Komisionit Evropian për përkrahjen e NVM-ve përmes MTI-së (EU-SME), përkrahje që do të vazhdojë edhe në vitin e parë të implementimit të Strategjisë.

NVM janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës pasi që më shumë se 99% e ndërmarrjeve janë NVM. Strategjia për NVM-të është një komponent nënsektorial i Strategjisë për Zhvillimin Kombëtar të Kosovës.

Afër gjysma e NVM-ve në Kosovë janë të përfshira në aktivitete tregtare. Më pak se 10 për qind në aktivitete prodhuese. Ekziston një nevojë urgjente për zhvillimin dhe krijimin e ndërmarrjeve më konkurrente të cilat mund të prodhojnë mallra që mund të konkurrojnë me prodhimet e importuara dhe të konkurrojnë në rrafshin ndërkombëtar. /Telegrafi/