“Ne kemi dëshmuar disa herë në seminare të organizuara të FIFA-s në Shqipëri, se jemi të gatshëm për ndeshje ndërkombëtare. Po mospranimi në UEFA e FIFA na ka penalizuar shumë, pasi nuk kemi mundur t’i tregojmë Evropës se jo vetëm me lojtarë, por Kosova ka pasur dhe ka gjyqtarë që mund të paraqiten denjësisht në nivele të larta evropiane”, ka thënë Genc Nuza
Motivi çdoherë e më i madh te sportistët
Përderisa, Federata, klubet dhe futbollistët kosovarë kanë filluar të përgatiten në mënyrë që pranimi ndërkombëtar t’i gjejë të gatshëm, të njëjtën gjë janë duke e bërë edhe gjyqtarët, të cilët padyshim se luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e lojës së futbollit. Jo rrallë kemi parë që këmishëzinjtë të jenë në qendër të vëmendjes, shpesh edhe për të keq, por ja që kohëve të fundit qasja ndaj tyre ka ndryshuar, dhe njohësit e mirë të futbollit po u japin nota pozitive. Stinori që lamë pas nga Federata e Futbollit e Kosovës është cilësuar si njëri nga më të mirët e pasluftës. Me këtë vlerësim shumë të tjerë nuk u pajtuan, pasi nuk ishte që kaloi pa probleme. Megjithatë, duhet pranuar se gjyqtarët dolën “faqebardhë” nga kjo garë, pasi vërtet patën paraqitje të mirë. Njëri nga gjyqtarët më të mirë në Kosovë, Genc Nuza, i cili, sipas burimeve tona të afërta me Federatën e Futbollit, pritet që në ceremoninë e 9 janarit kur edhe shpallen laureatët e vitit ta marrë çmimin e më të mirit, në një bisedë për gazetën tonë ka thënë se arbitrimi në vendin tonë po shënon ngritje dhe Kosova, përveç talenteve të mëdhenj në futboll, gjithmonë ka dhënë edhe gjyqtarë për Evropë.