Vjehrri i Elda Tanushit, e cila u arrestua se tentoi të helmonte nënën e bashkëshortit, hedh poshtë pretendimet që ajo ka dhënë në Polici duke pretenduar se e kishte ngacmuar seksualisht.
Eduart Stafa duke folur për “Panorama” mohon çdo pretendim të saj, duke i quajtur justifikime për të fshehur lidhjen jashtëmartesore që ajo kishte me një burrë të martuar.
Ndërsa shprehet se asnjëherë se ka parë si nusen e djalit, por sikur ta kishte vajzën e vet.
“Unë kam tre djem. Nuk kam asnjë vajzë. Dhe Eldën e kam parë e trajtuar gjithmonë sikur ta kisha vajzën time. Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja që ta shoh me sy tjetër, jo më ta ngacmoj seksualisht siç pretendon ajo. Ne e donim si vajzën tonë, ajo deshi të më helmonte gruan”, shprehet vjehrri i 19-vjeçares.
Eduart Stafa këmbëngul që nusja kishte një lidhje jashtëmartesore me një burrë të martuar, i cili ishte me origjinë nga fshati i saj i lindjes, në Dibër.
Madje, sipas tij “edhe këtë veprim e ka bërë për arsye se ne e kishim zbuluar dhe kishte frikë mos i tregonim djalit”.
Më tej, ai tregon se si ishte martuar djali i tij me 19-vjeçaren, një martesë me mblesëri dhe pa dëshirën e vajzës.
Dy të rinjtë ishin martuar 6 muaj më parë, ndërsa pak kohë pas martesës djali i tij, Doland Stafa kishte shkuar në Greqi për të punuar, i bindur nga babai i nuses.
Vjehrri i 19-vjeçares këmbëngul që ajo kishte një të dashur, madje për të komunikuar me të ka përdorur celularin e tij, pasi ajo vetë nuk kishte telefon.
“Telefonin tim e ka Policia në dorë. Aty janë të gjitha mesazhet që ajo ka shkëmbyer me të dashurin”, shprehet ai.