Adri Nurellari ka vlerësuar Presidentin e Kosovës si një largpamës në bisedimet me Serbinë.
Këshilltari i kryekuvendarit Kadri Veseli, Adri Nurellari ishte i ftuar në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini.
Ai e ka vlerësuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin duke thënë se është një rast i rrallë në historinë e partive shqiptare, kur dikush të largohet nga partia duke qenë në pushtet.
“Hashim Thaçi është një rast i rrallë në historinë e partive shqiptare, kur dikush largohet nga lidershipi i partive duke qenë në pushtet. Po të shikojmë në partitë shqiptare, liderët janë larguar si pasojë e dështimeve elektorale dhe Thaçi ka thënë se nuk do të kthehet më në politikë”, deklaroi Nurellari.
Duke folur për idetë e shkëmbimeve territoriale, Nurellari thotë se vështirë që një marrëveshje që parasheh shkëmbime territoresh do të pranohet nga Brukseli dhe Uashingtoni.
“Nëse do te këtë një korrektim siç ka ndodhur me Maqedoninë, nuk shoh ndonjë dramaticitet, por shkëmbime më të mëdha është vështirë të ndodhin”, thotë ai.
Publicisti thotë se megjithatë Kosova ka një konflikt të ngrirë dhe një marrëveshje është e domosdoshme.
“Ne duhet kuptuar se bashkësia ndërkombëtare nuk do të bëjë presion mbi Serbinë si në vitin 1999, pasi Spanja dhe Rusia nuk po lëvizin”, tha Nurellari.
Nurellari ka thënë se paqja nuk është e lehtë dhe politikanët duhet t’i lënë interesat politike dhe të mendojnë për periudha më afatgjate.
“Dallimi mes politikanit dhe burrështetasit është se ky i pari mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa i fundit mendon për brezat e ardhshëm. Mendoj se këtu z.Thaçi është duke dhënë një shembull shumë të veçantë me një kurajo të jashtëzakonshme, sepse ka kontribuar për kombin shqiptar si rrallë të tjerë dhe nuk ka pasur nevojë për interesin e vet që të merret edhe me këtë çështje[dialogun me Serbinë]”, deklaroi ndër të tjera publicisti dhe analisti Adri Nurellari./Telegrafi/