Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini vlerëson se kompanitë duhet të vazhdojnë të përdorin gaz, e jo të shkohet në variante joekologjike si nafta dhe mazuti. Ai thotë se ka gaz.
“Ka gaz, unë e them këtë sepse vij nga sektori i investimeve, të gjithë e dimë se ka gaz”, tha Nuredini.
Megjithatë, ai përkujtoi se ka procedura të cilat duhet t’i kalojnë në Ministri, ndërsa deri më tani, siç informoi, rreth pesë kompani të mëdha kanë kërkuar që ta ndryshojnë lejen me të cilën në rast të mungesës së gazit do të përdorin dizel.
“Nëse kompanitë kanë leje të integruar A duhet të bëjnë kërkesë për ndryshim të lejes dhe procedura zgjat rreth tre muaj. Domethënë ne duhet të vlerësojmë së pari nëse ai ndryshim është në përputhje me ligjin”, tha Nuredini në ngjarjen me rastin e mbjelljes së 20 drurëve të cilët janë donacion nga “Ekovetëdije”.
Ai edhe një herë potencoi se kompanitë duhet të vazhdojnë të përdorin gaz, sepse siç tha, gjithçka që është më e lirë nuk do të thotë se është mirë për qytetarët.
“Kërkoj që të gjithë të jenë të vetëdijshëm dhe të mos kthehemi prapa”, tha ministri dhe shtoi se profesionistët në Ministri do të vlerësojnë se a ka mundësi ose jo të ndryshohet leja.
Nuredini porositi se edhe krahas krizës energjetike të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për mjedisin jetësor.
“Fatkeqësisht kemi ndotje, por nëse shikojmë si ka qenë vitet e kaluara kemi ulje të ndotjes së ajrit. Do të thotë që politikat tona që po përpiqemi të ndryshojmë ngrohjen e spitaleve, stacioneve policore, kopshteve dhe shkollave kanë efekt pozitiv. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë nesër, por duhet të them se jemi në krizë energjetike, i kuptoj qytetarët që janë më të rrezikuar në kriza të tilla, por apeloj për ndërgjegjësim nga të gjitha institucionet, sektori privat dhe qytetarët”, tha Nuredini.