Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku është liruar nga paraburgimi.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati i tij, Artan Qerkini.
Ai ka bërë të ditur se Lushtaku është liruar këtë të martë, pasi kanë pushuar arsyet për mbajtjen e tij në paraburgim.
“Nuredin Lushtaku është liruar sot nga paraburgimi, pasi pas intervistimit të dëshmitarëve kanë pushuar arsyet për mbajtjen e tij në paraburgim. Arsyeja e vetme për mbajtjen e tij në paraburgim ka qenë rreziku për ndikim apo frikësim të dëshmitarëve”, ka thënë Qerkini.
Ndryshe, më 4 korrik, Gjykata Themelore në Mitrovicë ua kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Nuredin Lushtakut dhe dy familjarëve të tij.
Të njëjtit dyshohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë e për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur më 2 korrik në Skenderaj, ku dy policë u plagosën pas një përleshjeje me disa persona, ku të përfshirë dyshohet se janë Lushtaku dhe familjarët e tij.
Sipas, prokurores së rastit, Fetije Bajrami, e gjithë ngjarja ka nisur pasi që djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy zyrtarë policorë ia kishin shqiptuar një gjobë për shkelje trafiku.
Ai pastaj e kishte thirrur babanë, e i cili kishte shkuar me dy vëllezërit e tij dhe kishin sulmuar dy zyrtarët policorë, Enver Berishën dhe Mërgim Gecin, pas një përleshjeje verbale që kishin pasur. /Telegrafi/