Telegrafi

Nurboja: Me ngrohtoren, qytetarëve të Pejës ia kursejmë 21 milionë euro

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Pejë, Bashkim Nurboja ka prezantuar sot projektin për ndërtimin e ngrohtores së qytetit të Pejës brenda mandatit 4 vjeçar,

Nurboja thekson se ky projekt do ua kursej mbi 15.200  familjeve dhe bizneseve në Pejë mesatarisht nga 350 euro për sezon dimëror e që në total i bie 5.2 milionë euro kursime në vit, po mbi 21 milionë euro kursime për 4 vite.

“Ne do të punojmë me përkushtimin dhe sinqeritetin më të madh për ta përmirësuar jetesën e qytetarëve të Pejës. Kemi ndërtuar një program të bazuar në masa dhe projekte konkrete që do ta transformojnë Pejën nga një komunë e harruar në një vend të jetueshëm dhe të zhvilluar. Pikë e parë dhe e rëndësishme e programit tonë për Pejën është realizimi i projektit të Ngrohtores së Qytetit ‘TERMOPEJA’ brenda mandatit të parë”, potencoi Nurboja.

Nurboja është ekonomist dhe profesor universitar me doktoraturë në Ekonomi nga Universiteti i Ljubljanës dhe Master nga Universiteti i Staffordshire në Angli dhe këtë vit do të garoj për kryetar të Pejës nga lëvizja Vetëvendosje!