Site icon Telegrafi

Numrin 20-të në shpinë – dita e parë e Arbër Hoxhës te Dinamo Zagreb

Arbër Hoxha nënshkroi të martën kontratën me Dinamo Zagrebin dhe mbërriti në Rovinj në mbrëmje ku skuadra po përgatitet për vazhdimin e sezonit.

Anësori i ri ka bërë vetëm një stërvitje me skuadrën dhe është pritur mirë si nga trajneri po ashtu edhe nga bashkëlojtarët.

Dinamo Zagreb ka paguar për Hoxhën diçka më pak se 1 milion euro, ndërsa Slaven Belupo do të marrë gjithashtu 15 për qind të transferimit të ardhshëm.

Hoxha do të mbajë numrin 20 në klubin e ri, pasi “nëntën” të cilën e mbajti në klubin paraprak është e rezervuar për Bruno Petkovic.

Klubi pasdite ka publikuar edhe një video të mbërritjes së Hoxhës në Rovinj, ku ai është pritur nga anëtarët e shtabit të trajnerëve.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që arrita marrëveshje me Dinamon dhe u bëra një lojtar i këtij klubi të madh, më të madhit në Kroaci. Falënderoj ish-bashkëlojtarët dhe trajnerin për të gjitha përvojat, për gjithçka që më mësuan, por prova e vërtetë fillon tani për mua në kuptimin e plotë të fjalës”.

“Për një kohë të gjatë, dëshira ime ishte të luaja për Dinamon dhe sapo mora vesh se klubi ishte i interesuar për mua, nuk dyshova kurrë në përfundimin e gjithë historisë, e cila më në fund ndodhi. Do të bëj çmos për të justifikuar besimin e klubit dhe për të arritur shumë suksese dhe momente të paharrueshme së bashku”, ka thënë Hoxha për faqen e Dinamos. /Telegrafi/

Exit mobile version