Telegrafi

Numri i viktimave të zjarrit në Havai ka shkuar në 67, vazhdon kërkimi i të mbijetuarve

Numri i të vdekurve nga zjarri në ishullin Maui në Havai është rritur në 67.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë në rrënojat e Lahaina, kurse  zyrtarët lokalë po përpiqen të përcaktojnë se si zjarri u përhap me shpejtësi në vendpushimin e famshëm pa asnjë paralajmërim, transmeton Telegrafi.

Zjarret në Maui konsiderohen si fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse në historinë e Havait, më e keqe se cunamit e shumtë në të kaluarën, një prej të cilëve goditi Big Island në vitin 1960 që mbyti 61 njerëz.

Zyrtarët kanë urdhëruar ekipe me qen të trajnuar për të kërkuar zonat e prekura për të gjetur të zhdukurit dhe trupat e viktimave.

Lexo po ashtu Momenti kur banorët e Havait hidhen në oqean për t’i shpëtuar zjarrit katastrofik që shkatërroi gjithçka

“Padyshim që do të zbulohen më shumë viktima”, tha guvernatori i Havait, Josh Green në një intervistë për CNN.

Rreth 1000 ndërtesa banimi u shkatërruan nga zjarri dhe mijëra njerëz mbetën të pastrehë. Qyteti Lahaina pothuajse ishte rrafshuar me tokë. Përveç hirit, nuk ka mbetur pothuajse asgjë.

Ndërtimi i banesave të reja dhe rindërtimi i zonave të shkatërruara nga zjarri, ka të ngjarë të kushtojë miliarda dollarë.

Presidenti i SHBA, Joe Biden, shpalli një gjendje fatkeqësie natyrore në Havi, duke lejuar dhënien e ndihmës federale që, në këtë rast, përfshin grante për strehim të përkohshëm dhe riparime shtëpish, kredi me kosto të ulët për të mbuluar pronën e dëmtuar të pasiguruar dhe programe të tjera të ngjashme për banorët e prekur dhe bizneset nga zjarri. /Telegrafi/