Numri i veturave të paregjistruara në Kosovë ka rënë në 20 mijë, nga mbi 200 mijë sa ishte para 15 muajsh.
Kështu bëri të ditur drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, të enjten në tryezën “veturat e paregjistruara dhe të pasiguruara si sfidë për anëtarësimin në sistemin e Kartonit të Gjelbër”.
Camaj deklaroi se në rrugët e Kosovës vetëm 5 për qind e veturave që qarkullojnë janë të paregjistruara.
Ndërsa, siç tha, deri tani automjete të regjistruara janë 408 mijë e 219.
“Të paregjistruara në dy vitet e fundit janë 20 mijë e 630 automjete. Do të thotë numri i automjeteve të paregjistruara ka rënë dukshëm. Parashtrohet pyetja pse? Së bashku me BKS-në kemi bërë pastrimin e databazës së ARC-së, pra të regjistrimit të automjeteve”, tha Cama.
Sipas të dhënave të publikuara nga AI, për katër muaj janë vënë gati 70 mijë stikerë për veturat e saporegjistruara./Telegrafi/