Site icon Telegrafi

Numri i të pastrehëve në Maqedoni ndryshon nga dita në ditë

Dimri i ftohtë që kaploi gjithë vendin i gjeti në rrugë dhe pa mbështetje të pastrehët, të cilët në këtë të ftohtë netët po i kalonin në rrugë, shkruan gazeta KOHA.

Për të zbutur gjendjen, Kryqi i Kuq i Maqedonisë ka strehuar shumë të pastrehë në disa punkte në lagjen e Shkupit, Momim Potokit.

“Punkti për të pastrehët funksionon që nga viti 2008 dhe prej atëherë punon në mënyrë të rregullt. Pjesa stacionare për të pastrehët u hap në vitin 2010 dhe për 6 vjet është në funksion. Kjo është një hapësirë, në të vërtetë strehim i përkohshëm për të pastrehët, të cilët këtu vendosen kur temperaturat ekstremisht janë të ulëta. Ndryshe, vitin e kaluar kemi qenë të hapur prej 30 dhjetor 2016 dhe tashmë 3 javë jemi pa ndërprerje ne funksion për 24 orë”, thotë për KOHA Dragana Llazarevksa nga Kryqi i Kuq.

Përndryshe, në këtë punkt ka edhe mjekë dhe psikologë të cilët merren me të gjithë të pastrehët dhe me problemet e tyre.

Numri i të pastrehëve për momentin është 20, por ndonjëherë edhe 22.

“Numri i të pastrehëve ndryshon nga dita në ditë. Para disa ditëve kishim 22 të pastrehë, por tani janë 18 apo 19. Para dy tre ditëve maksimalisht kishte 22 persona, pasi që kapaciteti i punkteve është për aq persona dhe ne nuk mundë të bëjmë diçka më shumë, kështu që momentalisht numri i të pastrehëve është 18- 19 persona”, thotë Llazarevska.

Kushtet për të pastrehët janë të mira, pasi për çdo gjë që kanë nevojë për momentin atyre nuk iu mungon. Nga Kryqi i Kuq thonë se mundohet që çka është më e mira t’ua mundëson të pastrehëve.

“Me organizatën tonë bashkëpunojnë edhe qytetarë human, të cilët na ndihmojnë për t’i strehuar ato që janë të pastrehë, qytetarët i gjejnë këto njerëz dhe na drejtohen neve për t’i strehuar. Mundohemi që sa më mirë t’i presim, me të gjitha kushtet që janë të nevojshme dhe kujdesimi që asgjë mos t’ju mungojë gjatë kohës sa qëndrojnë tek ne. Ata gjatë ditës janë të lirë të dalin të kërkojnë punë apo edhe të punojnë dhe prapë të kthehen në punkte”, theksoi Llazarevska.

Ajo gjithashtu nënvizon se numri më i madh i të pastrehëve janë të përkatësisë maqedonase, ku pas tyre radhiten romët, ndërsa ka vetëm një shqiptar.

“Kemi një statistikë të bërë nga Kryqi i Kuq, që qëndron në arkivin tonë dhe për secilin të pastrehë tregohet historia e tij si dhe cilës përkatësi etnike i takojnë. Mundë të them se numri më i madh janë maqedonas, pastaj të dytët pas maqedonasve radhiten romët. Mund të them se pas gjithë këtyre viteve që ekzistojë punktet, prej shqiptarëve janë paraqitur një ose dy persona. Për momentin kemi një anëtar, rreth të ‘70-tave, i cili për arsye të veçanta, konflikt me djemtë e tij, është larguar nga shtëpia dhe na është drejtuar neve”, thotë për gazetën KOHA Dragana Llazarevska, përfaqësuese e Kryqit të Kuq.

Pika për të pastrehët në Momin Potok mbështete nga Qyteti i Shkupit, Kryqi i Kuq i Austrisë dhe kompania Dauti.

Exit mobile version