Numri i shtuar i rasteve të reja me virus korona gjatë një dite më parë përbën shqetësim për OBRM-PDUKM-në, për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve.
“Numri i shtuar i të infektuarve të ri është shqetësim serioz dhe e përforcon shqetësimin tonë për shëndetin e qytetarëve. Në këtë rast duam të theksojmë se zgjedhjet e shpejta assesi nuk janë të mundura. Kjo tregon për moskokëçarjen dhe joseriozitetin e Zaevit dhe LSDM-së të cilëve u intereson vetëm shkuarja në zgjedhje për të zbehur rënien e Zaevit”-tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i OBRM-PDUKM-së.
LSDM-ja thotë se do të merren parasysh rekomandimet e ekspertëve megjithatë vjeshta është më e rrezikshme kurse vendit i duhen institucione funksionale.
“Është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen në afatin e parë të mundshëm për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe të mos i ekspozojmë qytetarët në një rrezik të ri shëndetësor në vjeshtë kur pritet valë e re e virusit. OBSH-ja pikërisht këtë e paralajmëron prandaj duhet të shkohet në zgjedhje kur kushtet më shumë e lejojnë këtë.”-pohoi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.
12% e të testuarve gjatë ditës së kaluar rezultuan pozitiv, që është përqindja më e lartë e disa ditëve të fundit. /Alsat-M/