Site icon Telegrafi

Numri i madh i veteranëve të luftës alarmon Qeverinë (Video)

Është përmbyllur procesi i verifikimit të veteranëve të luftës, ku 46 mijë e 230 vetave u është njohur kontributi si veteran luftëtar, raporton KTV.

Qeveria e Kosovës e ka pranuar raportin si të tillë, por ka shprehur shqetësimin e saj për faktin se ky numër ka tejkaluar çdo lloj parashikimi të saj dhe mund të ketë implikime të rënda buxhetore.
Ky numër ka shqetësuar ekzekutivin që pati telashe me FMN-në edhe para një viti, pikërisht për shkak të numrit të madh të tyre.

Kryeministri Mustafa, ka thënë se i mbetet qeverisë të gjejë një zgjidhje për kompensimin e tyre pas rekomandimeve të FMN-së.

Problemi kryesor qëndron në faktin se qeveria ndau nga buxheti i saj vetëm 25 milionë euro për pensionet e tyre, duke llogaritur numrin e veteranëve të papunë rreth 11 mijë.

Por, në fakt numri i atyre që kanë hyrë në sistem për këtë pension, është 22 mijë e 700, derisa 2 mijë aplikacione të tjera janë në proces.

Pra qeverisë do t’i duhen edhe 25 milionë euro të tjera për të mbuluar këto pensione.

Exit mobile version