Site icon Telegrafi

Numëratorja dhe Kushtetuta

1.

Numrat janë pjesë e pandashme e jetës së njeriut. Qysh në vegjëlinë e hershme, pas disa fjalëve elementare, fëmijëve u mësohet të tregojnë me gishta se sa vjeçarë janë. Duke u rritur, i flakin pelenat dhe fillojnë të numërojnë së pari deri në dhjetë e më pas akoma më shumë. Fëmijët e sotëm, madje edhe në anglisht.

Më pas ata nisin të hedhin shtat dhe futen në jetën arsimore, këtë të gjatën që dikujt si puna ime filloi t’ia rrallojë flokët. Kur hyjnë në klasë të parë dhe fillon kontakti me mësuesen, shokët e shoqet. Sfida e radhës është numërimi i gjithë klasës dhe mbamendja e emrave të të gjithëve. Domethënë, përsëri kemi punë me numrat. Dikur vjen praktika me numëratore dhe këtu mësohen kryesisht mbledhja e zbritja. Më pas fillojnë detyrat më të vështira dhe nuk kursehet as kalkulatori.

2.

Matematikën s’e kam dashur kurrë. Bota e numrave sikur më zinte frymën. Sikur parandieja që atëherë se numrat janë ngulfatës. Janë problemi vetë. Pengmarrës. Dhe s’është për t’u zënë për të madhe ky konstatim. Së paku jo në përditshmërinë tonë.

3.

Vitet kalojnë dhe disa nga ata fëmijë të numëratores bëhen të famshëm. Ndoshta merren edhe me politikë. Kjo e fundit është shkollë gjithashtu por ama nga ato që s’të ofron edukim. Çamarrokët e dikurshëm, tani me kravata, përdorimin e numrave sërish e shohin si mundësi për të kaluar provimet. Ata që dikur dinin të numëronin deri në dhjetë, sot, ta zëmë në mësonjëtoren e quajtur “Kuvend”, përvetësuan të njehin deri në 61. Sipas rastit edhe gjer më 80. Është e vërtetë se përllogaritjet nuk po iu dalin përherë. Mbase diku kanë çaluar në arsimimin formal. Apo ndoshta kanë ikur nga orët e mësimit kur trajtoheshin këto njësi mësimore. Sidoqoftë, ujku qimen edhe e ndërron, por zakonin jo. Zgjidhja më oportune: kopjimi. Të tillët që janë mësuar të kalojnë testet me kopjim dhe të marrin diploma me këso manovrash nuk do ta kenë të vështirë që prapë të nxjerrin në pah aftësitë: kontrabandën me teste, rrjedhimisht me numra.

4.

Të kihet një rend kushtetues dhe të veprohet në bazë të tij është virtyt i rëndësishëm për një shoqëri. Nëse kushtetuta parasheh se për krijimin e institucioneve të shtetit duhen numra, atëbotë ato edhe duhet të bëhen. Por rregullat e matematikës nuk ndryshojnë për hatër të një nxënësi që medoemos dëshiron të nxjerrë një rezultat të caktuar. Fundja, në garat e diturisë marrin pjesë nxënësit e dalluar dhe jo ata që të vetmen gjë që e posedojnë është ambicia për të qenë i pari. E kësaj i thonë meritokraci. Term i përmendur shpesh mirëpo ende i pazbatueshëm në vendin tonë.

5.

Një gjë themelore duhet pasur parasysh: kushtetuta nuk përcakton kritere numrash që të bëhen pazarllëqe dhe lojëra jolojale e të pamoralshme. Saktësimi i numrave si standard kushtetues vlen për të avancuar frymën demokratike në institucionet e vendit dhe përfaqësimin sa më përfshirës të komuniteteve të ndryshme. Pra, kushtetuta nuk është numëratore.

Duke u lënë mënjanë kjo logjikë përqafohet mentaliteti i bërjes së numrave me çdo kusht, pavarësisht vullnetit të elektoratit dhe kjo dëfton për mungesë të theksuar të zhvillimit të demokracisë. Për më tepër, fillon shkarja edhe në prepotencë: bërja e numrave po cilësohet si akt burrnor. Të thuash se “unë i kam numrat”, në esencë, është njëjtë sikur të brohorasësh se “unë kam kaq hektarë tokë, kaq dyqane, kaq vetura, kaq…”. “Unë i kam numrat” është nënçmim ndaj vetë deputetëve; ata shihen jo më si subjekt aktiv që ka hyrë në Parlament me verdiktin e popullit, por si numra që duhet ta formojnë një qeveri. Parlamentarizmi si sistem qeverisjeje mëton që Parlamenti vjen nga populli e Qeveria buron dhe kontrollohet nga Parlamenti. Fatkeqësisht, kultura politike në Kosovë pothuajse vijanoz ka ndjekur trajektoren e kundërt; deputetët vazhdojnë të shihen si shifra që duhet t’i shërbejnë ekzekutivit që nga formimi i qeverisë e deri në momentin kur vendosin të shkojnë në zgjedhje të reja. Madje edhe atëherë Qeveria e përdor Parlamentin për ta shpërndarë veten.

Kjo është çoroditja e jonë, si njëra ndër prodhimet e pakta vendore që kemi. E dora në zemër, marre është bile të synohet eksportimi i saj.

Exit mobile version