Kosova po përballet me numrin më të madh të të infektuarve që prej fillimit të pandemisë.
Kapacitetet e klinikave që trajtojnë këto raste janë drejt përfundimit, ndërkohë që me dhjetëra persona po vdesin vetëm brenda ditës. Disa shërbime në QKUK janë pezulluar, meqë sfidë po mbetet sigurimi i shtretërve të lirë.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi bën thirrje për vaksinim, meqë shumë prej pacientëve të cilët po trajtohen janë të pavaksinuar. Ai thotë për KosovaPress se gjendja është shumë e rënduar, ndërkohë që flet për riorganizimin e klinikave.
“Gjendja është mjaft e rënduar sa i përket numrit të madh të pacientëve që po kërkojnë spitalizim. Kemi 1,139 pacientë që po marrin shërbime spitalore në shtatë spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së. Dhe ky numër ka tejkaluar tashmë numrin prej 1010 pacientëve që kemi pasur në pikun e pandemisë gjatë fund-muajit nëntor të vitit të kaluar. Po detyrohemi që të organizojmë shtretër shtesë, për të shtuar këto kapacitete. Pra, të riorganizojmë në tërësi të gjitha klinikat e QKUK-së dhe gjithë stafin shëndetësor të cilët janë në trajtimin e këtyre pacientëve”, tregon ai.
Pritjet janë që numri i pacientëve të hospitalizuar të shtohet ditëve në vijim, por Krasniqi thotë se duhet të marrin masa për parandalimin e përhapjes së virusit.
“Ne nuk mund të garojmë me virusin, në kuptimin e asaj se sa shumë mund të infektojë virusi. Ne nuk do të kërkojmë shtretër shtesë, por duhet të kërkojmë që të ndalet virusi. Dhe ndalja e virusit bëhet vetëm përmes vaksinimit dhe vetëm përmes respektimit të masave në mënyrë strikte nga secili qytetar i Kosovës”, shton ai.
Më tej, ai njofton se qëndrojnë mirë me medikamente dhe pajisje mjekësore, por jo edhe me numrin e mjaftueshëm të shtretërve.
“Neve na vjen keq që jemi të shtrënguar dhe duhet të pezullojmë disa shërbime, siç janë: shërbimet kirurgjike të natyrave jo emergjente, po ashtu kemi reduktuar edhe shërbimet specialistike ambulantore, diku rreth 50 për qind. Kërkojmë nga qytetarët mirëkuptim, për faktin se jemi të detyruar të shfrytëzojmë shtretërit për pacientët me COVID dhe të prioritizojmë sëmundjet të cilat janë të natyrës urgjente”, deklaron Krasniqi.
Ai rendit shkaqet që ndikuan në rritjen e këtyre rasteve me infektime, duke theksuar se ka pasur lirim të pakontrolluar të masave.
“Lirimi i masave gjatë tre muajve të kaluar, relaksimi i tërësishëm i të gjithë neve pa përjashtim, ahengjet, dasmat, lokalet, klubet e natës, ardhja e diasporës, shkuarja e qytetarëve të Kosovës jashtë Kosovës, të gjitha këto kanë ndikuar”, thekson ai.
Krasniqi flet edhe për mundësinë apo jo të infektimit gjatë vaksinimit.
“Të gjitha të dhënat e deritanishme ekzistuese të bazuara në shkencë, jo vetëm për COVID-in, por pothuajse asnjë vaksinë nga viruset e vdekur apo të mbytur që nuk prodhohen nga viruset e gjallë nuk mund të infektojë njeriun me atë virus. Pra, edhe vaksina Astra-Zeneca dhe Pfizer të dy llojet që përdoren te ne, nuk janë vaksina që prodhohen nga viruset e gjalla, andaj edhe nuk ka mundësi që njeriu të infektohet gjatë vaksinimit. Është e pritshme dhe njeriu mund të infektohet disa ditë para vaksinimit, qoftë edhe disa ditë pas vaksinimit pasi që e dini që vaksina prodhon krijimin e antitrupave dhe organizimit i duhen 7 ditë apo 14 ditë për krijimin e antitrupave”, sqaron Krasniqi.
Ai ka apeluar të gjithë që të respektojnë masat në fuqi dhe të vetëdijesohen për mbrojtjen e shëndetit të tyre.
Ndryshe, në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar janë ri-funksionalizuar shtatë njësi anti-COVID. Gjatë ditës së djeshme kanë humbur betejën me këtë virus 16 persona, mbi 2000 të tjerë janë infektuar, ndërsa mbi 15 mijë janë vaksinuar me dozë për mbrojtjen nga virusi.