Site icon Telegrafi

Numër i lartë i armëve pa leje në Kosovë, policia konfiskon mijëra çdo vit

Policia e Kosovës vetëm deri më 15 tetor të 2024 ka iniciuar 1333 raste si “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, numër i përafërt është edhe gjatë dy viteve paraprake. Njohësit e fushës thonë se shumica e armëve pa leje kanë mbetur nga lufta, por nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e kontrabandës, sidomos nga Serbia.

Dikur u përdorën për të dalë nga okupimi në liri, e tash një pjesë prej tyre  janë vetëm armë ilegale në duart e qytetarëve.

Shumica e armëve pa leje në duar tyre po mendohet që iu mbetën që nga lufta e fundit në Kosovë.

Tash, e 25 vite, Policia e Kosovës realizon vazhdimisht kontrolle dhe aksione për konfiskimin e tyre.

E vetëm deri me 15 tetor të 2024, policia “ka iniciuar 1333 raste nga neni 366 ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”.

E dallimi me dy vitet paraprake nuk është i madh.

Komplet në 2023-n u sekuestruan 1,392 armë zjarri,  kurse në 2022-n ishte edhe me i lartë 1.473 sosh.

Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme Selam Shkodra, lavdëron institucionet për punën, por ka nevojë për një sqarim nga policia e Kosovës.

“Duhet pa nëse është rritur numri i atyre që po mbajnë armë ilegale, apo është rritë numri i aktiviteteve të policisë dhe nëse është rritur numri i aktiviteteve të Policisë është për të u përgëzuar policia, por nëse është rritë numri i atyre që mbajnë armë ilegale, atëherë lë të nënkuptohet që trendi i armëmbajtjeve pa leje është në rritje”, ka thënë Shkodra.

Shkodra nuk e hedh poshtë mundësinë, që në Kosovë ende të vazhdoj kontrabanda me armë.

Ngjashëm mendon edhe njohësi i fushës së sigurisë Valdet Hoxha.

“Numri i tyre është ndryshu, për shkak të shtimit të tyre brishtësisë së kufirit sidomos me 400 km e vijës së gjelbër me Serbinë ku nuk është përjashtuar asnjëherë dhe disa herë është zënë kontrabandë me armë, andaj janë dy faktor mbetja e armëve nga lufta dhe shtimi i tyre në aspektin biznesor dhe kriminal”, ka thënë Hoxha.

Hoxha thotë se grupet kriminale që bëjnë transportin e tyre kanë fitime të mëdha, por nuk duhet harruar se këto armë mund të futën edhe nga grupe të mirë organizuara që për qëllim kanë destabilizimin e vendit.

Sipas organizatave jo qeveritare në vendin tonë besohet të jenë mbi 200,000 armë pa leje.

Exit mobile version