Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, gjatë vizitës në Prishtinë, ka takuar sot udhëheqësit e institucioneve dhe të shoqërisë civile.
Por, nuk ka takuar drejtuesit e partive opozitare. Ndryshe do të ndodhë gjatë vizitës së saj në Tiranë, ku Nuland ka në agjendë takimin me Lulzim Bashën, kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, raporton Telegrafi.
Edhe ambasadori amerikan Greg Delawie, përmes Twitterit ka publikuar fotografitë e takimeve të ndihmës sekretares Nuland, ku ka potencuar se ajo është takuar me përfaqësues të Qeverisë dhe të shoqërisë civile dhe ka biseduar rreth integrimeve evropiane dhe luftës kundër korrupsionit.
“ Nuland dhe unë kemi biseduar me përfaqësues impresiv të shoqërisë civile sot, të gjithë po punojnë për të ndalur korrupsionin në Kosovë”, shkruan ambasadori Delawie në tekstin e shoqëruar me fotografi nga takimet.
Ndërkohë zyrtarët e AAK-së nuk kanë asnjë informacion se pse zyrtarja amerikane, Vicotoria Nuland s’e takoi Ramush Haradinajn.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për Express se nuk e di pse Nuland s’e takoi Ramush Haradinajn, Visar Ymerin e Fatmir Limajn.
Isufi ka thënë se me rëndësi ishte që Nuland në takimet me zyrtarët e lartë kishte kërkesa të qarta për luftë kundër krimit e korrupsionit.
Edhe në NISMA për Kosovën kanë thënë e nuk i dinë arsyet pse s’pati shtrëngim duarsh mes Nuland e Fatmir Limajt.
Jakup Krasniqi ka thënë se mbesin në qëndrimet e njëjta sa i përket demarkacionit. Kërkojnë shkarkimin ose dorëheqjen e Komisionit Qeveritar për demarkacionin. /Telegrafi/