Site icon Telegrafi

Nuk u arrestua Mlladiqi, por u dorëzua Starçiqi

Ratko në gjuhën serbe do të thotë luftëtar/luftarak, kurse Mlladiq i ri. Sot Ratkoja nuk është Mlladiq – i ri, por është i vjetër, është ‘starac’ ose ‘Starçiq’. Ratkoja i ri gati dy dekada pas krimeve të kryera, jetoi i paprekur, u shëtit lirshëm pa iu trembur qerpiku nëpërmes Beogradit, hynte nëpër lokale të ndryshme dhe përshëndetej nga kalimtarë të rastit. Serbia nuk e zuri të ri, por e priti të dorëzohej plak – në prag të vdekjes. Pra nuk u burgos Ratko Mlladiqi, por u dorëzua Ratko Starçiqi.

Tani Serbisë Starçiqi s’i duhet për asgjë; ai e ka kryer misionin e tij brenda një harku kohor të caktuar. Bile Starçiqi ashtu si plak i matufosur e i sëmurë, nuk i duhet më as familjes së vet. Tradicionalisht atje shumica e pleqve destinacion të fundit e kanë shtëpinë e pleqve, ku ka kushte jo të volitshme jetese. Afërmendsh Starçiqi nuk u arrestua, por u dorëzua vetë. Këtë e ka bërë në pajtim me organet kompetente përkatëse, pasi është bindur se këtë gjest e kërkon interesi shtetëror serb. E serbët për interes kombëtar janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Tekefundit, ai si i plakur dhe i sëmurë zgjidhje dhe zgjedhje më të mirë s’ka pasur. Qendra në Shevengingen do të jetë njëkohësisht hoteli dhe spitali më i mirë për të.

Serbia këtë gjest nuk e bëri për t’i larë mëkatet. S’çante dot kokën për krimet e tij të bëra. Në saje të atyre krimeve u bë Republika Sërbska, të cilën ajo e mbështeti në kohën e luftës, kurse tani në kohën e paqes tenton ta aneksojë edhe formalisht. Dorëzimi i Starçiqit tregoi qartë se Serbia s’brengoset për moral, por njeh vetëm gjuhën e detyrimeve, shtrëngimeve dhe forcës. Këtë e thanë vetë. Në të gjitha informacionet e dhëna, mediat serbe arsyen e kapjes e ndërlidhën me obligimet ndërkombëtare të Serbisë ndaj Gjykatës së Hagës. Këtë disa herë e përsëriti edhe presidenti serb, Boris Tadiq.

Serbia po i mban kriminelët si peshq rezervë për t’i hedhur në fultere sa herë që ka nevojë. Këtë e dëshmoi me Millosheviçin, Karaxhiqin dhe tani me Starçiqin. Bile sigurimi serb i ka në dorë kriminelët dhe i hedh në tregun e pazarllëqeve gjithherë kur i duhen shtetit. A nuk e tha Tadiqi se do të kapet edhe krimineli tjetër Goran Haxhiqi?! E qartë; atë e ruan xhoker për ndonjë lojë tjetër. Dërgimi i Karaxhiqit dhe Starçiqit në Hagë nuk a shfajëson Serbinë nga krimet e kryera në Bosnjë, sepse në gjenocidin e kryer në këtë vend ishin implikuar shteti, një pjesë e madhe e popullit dhe shumë politikanë.

Politika perfide serbe dëshmoi se për interesin nacional është në gjendje të bëjë çmos; t’i dorëzojë edhe ata, të cilëve deri dje populli i tyre u thurte lavde dhe u këndonte për krenarinë që gjoja ua kishin dhënë. Se Starçiqi dhe kriminelët e tjerë ishin krenaria e tyre kombëtare, dëshmojnë më së miri këngët që ua këndojnë dhe reagimet nga populli dhe partitë radikale, të cilët u hodhën në demonstrata në shenjë revolte ndaj këtij ‘arrestimi’. Serbia sot ka nevojë për integrime evropiane. Krimineli u dorëzua gjersa në Beograd ishte për vizitë shefja e diplomacisë evropiane, baronesha Catherine Ashton. Spektakli u improvizua në kohën e menduar mirë.

Ky dorëzim i kriminelët në Hagë mund të ketë impakte negative në vazhdimin e negacioatave Kosovë – Serbi. Tekefundit Serbia këtë gjest e ka bërë pikërisht për këtë shkak: që të ketë lëshime ndaj saj dhe t’i mundësohet afrimi drejt integrimeve evropiane. Madje Starçiqi u kap pas lansimit të idesë për ndarjen e Kosovës. Kjo nuk është rastësi. Kështu di t’i ndërlidhë gjërat e proceset vetëm Akademia Serbe e memorandumeve.

Kjo duhet t’ua hapë sytë edhe më shumë shqiptarëve, jo vetëm politikanëve. Në kohën e zhvillimit të bisedimeve, idesë së hedhur për ndarje dhe asaj çfarë po ndodh në veri të vendit, ky ‘arrestim’ është një plus i madh për Serbinë në peshojën ndërkombëtare, edhe pse nuk do të duhej të ishte, sepse bota nuk duhet të ushqejë iluzione nga ky spektakël i improvizuar serb. Ironike ishte pas kësaj të dëgjosh komente e opinione se ky ‘arrestim’ tregoi se Serbia po shkëputet përfundimisht nga mendësia e së kaluarës dhe se tashmë është përcaktuar për frymë të re paqësore e demokratike në Ballkan. Absolutisht jo. Unë vazhdoj të argumentoj se Serbia mbetet edhe më tej shtet nacional-shovenist me ambicie ekspansioniste, ndonëse të vërtetat që them nuk i konvenojnë regjimit serb dhe dashamirëve të tij.

Exit mobile version