E fikni ndonjëherë telefonin tuaj? Nëse përgjigja është jo, duhet ta ndryshoni atë dhe ta fikni dhe ndizni telefonin të paktën një herë në javë.
Ky është vetëm një nga rekomandimet e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare (NSA), e cila ka publikuar një sërë këshillash të tjera për përdoruesit e telefonave të mençur që duhet t’i mbrojnë ata nga sulmet e hakerëve dhe malware.
Një telefon inteligjent mund të ndikohet nga një sërë kërcënimesh sigurie, nga phishing te malware te spyware.
Një mënyrë për t’u mbrojtur nga sulmet që mund ta infektojnë pajisjen tuaj pa asnjë ndërveprim nga ana juaj është të fikni periodikisht telefonin dhe pastaj ta ndizni përsëri, të paktën një herë në javë. Ky veprim i thjeshtë mund ta bëjë më të vështirë për hakerat vjedhjen e informacionit nga telefoni juaj, megjithëse NSA paralajmëron se jo gjithmonë do të parandalojë një sulm.
Përveç fikjes së telefonit, NSA këshillon përditësimin e rregullt të aplikacioneve dhe sistemit operativ për të marrë arnimet më të fundit të sigurisë.
Instaloni aplikacione vetëm nga dyqanet zyrtare, të tilla si Apple App Store ose Google Play Store.
Nëse nuk keni një arsye të mirë për ta bërë këtë, mos hapni lidhjet dhe bashkëngjitjet në email dhe mesazhe, pasi këto janë mënyra të zakonshme për të nisur malware.
Jini të kujdesshëm ndaj rrjeteve publike Wi-Fi dhe shmangni ato kur është e mundur.
Fikni Bluetooth-in kur nuk e përdorni për të parandaluar që pajisjet e tjera të lidhen dhe të kenë qasje në telefonin tuaj.
Përdorni një fjalëkalim të fortë për të zhbllokuar telefonin tuaj, ose më mirë akoma, përdorni biometrikën për të zhbllokuar telefonin duke skanuar fytyrën ose gjurmën e gishtit.
Përdorni vetëm kabllo origjinale dhe karikues telefoni nga prodhues të besuar dhe shmangni stacionet publike të karikimit të telefonit USB.
Fikni shërbimet e vendndodhjes kur nuk janë të nevojshme.
“Kërcënimet ndaj pajisjeve mobile janë gjithnjë e më të pranishme dhe në rritje në shtrirje dhe kompleksitet”, thekson NSA në rekomandimet e saj. “Përdoruesit e celularëve duan të përfitojnë plotësisht nga këto pajisje, por shumë veçori që ofrojnë komoditet sakrifikojnë sigurinë”, përfundoi NSA. /Telegrafi/